Emisari britanez i thotë Kurtit se është i gatshëm ta ndihmoj Kosovën në dialog me Serbinë

Emisari britanez i thotë Kurtit se është i gatshëm ta ndihmoj Kosovën në dialog me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti në orët e hershme të paradites e ka pritur në zyrën e tij, emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, raporton Gazeta “Enigma”.

Nga Zyra e Kryeministrit, theksohet se Kurti dhe Peach diskutuan pë paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

ZKM thotë se Kurti e falënderoi emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë.

“Mbretëria e Bashkuar është partner i Kosovës i domosdoshëm për zhvillim dhe siguri, tha kryeministri duke mirëpritur emërimin e emisarit Peach si veprim i duhur që do t’u kontribuojë proceseve politike në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

“E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin, theksoi Kryeministri”, thuhet më tej në komunikatë.

Në anën tjetër, sipas ZKM-së, emisari Peach vlerësoi lart marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për ta thelluar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët, tha kryeministri Kurti. Ai ritheksoi që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara”, thuhet në komunikatë.

“Marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut”, njofton më tej Zyra e Kurtit.

Në anën tjetër, për vizitën e emisarit, ka reaguar edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, nga e cila kanë thënë se ai po punon për ta promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkan.

Peach, përveç takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, po takohet edhe me përfaqësues të partive politike.

“Me shumë kënaqësi mirëpresim Sir Stuart Peach, të dërguarin Special të Kryeministrit në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë për vizitën e parë në rolin e tij të ri. Sot në mëngjes ai pati takime me Presidenten dhe Kryeministrin dhe po takon edhe përfaqësues të partive të ndryshme politike për t’i dëgjuar prioritetet dhe shqetësimet e tyre nga dora e parë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Prioritetet e emisarit të Mbretërisë së Bashkuar për rajonin përfshijnë mbështetjen për dialogut Kosovë – Serbi.

“Sir Stuart po punon për ta promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në këtë rajon. Prioritetet e tij përfshijnë punën me partnerët tanë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE, inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëgimisë siç janë krimet e luftës dhe personat e pagjetur dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e ambasadës./Gazeta Enigma.

Related Articles