Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 30 vjeçar në Prishtinë, i dyshuar për disa raste të grabitjeve të armatosura.
Policia bën të ditur se 30 vjeçari dyshohet se është përfshirë në rastet e grabitjes të ndodhura gjatë këtij viti.
“Progresi i hetimit policor për këto raste ka rezultuar me ndërmarrjen e një operacioni nga ana Hetuesve Rajonal, të cilët kanë arrestuar personin e dyshuar; L. S, mashkull, 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka qenë i përfshirë në tri raste të grabitjeve të armatosura dhe një tentim grabitje. Raste këto të ndodhura gjatë këtij viti, në lagjen Lakrishte dhe Emshir”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Në komunikatë theksohet se, pjesë e operacionit, ka qenë edhe kontrolli i vendbanimit të personit të dyshuar, i cili është realizuar me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Policia aty ka gjetë dhe sekuestruar një armë zjarri, 14 fishekë si dhe gjësende të tjera që mund të shërbejnë si prova për rastet”.
Ndaj të dyshuarit, me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, përderisa po vazhdon puna hetimore për zbardhjen e plotë të dyshimeve të ngritura për implikimin e të dyshuarit edhe në disa raste të tjera që po hetohen nga ana e policisë./Gazeta Enigma/