Trepça është fituese e Kupës së Kosovës në basketboll. Në finalen dramatike dhe shumë të fortë, Trepça e ka mposhtur Bashkimin e Prizrenit me shifrat 76:62.
Ndeshja është luajtur në palestrën “Karagaçi” në atmosferë shumë të bukur. Palestra në Pejë ishte thuajse e mbushur me shikues, shumica prej tyre nga Mitrovica.
Është hera e pestë që Trepça ka fituar Kupën e Kosovës. Për herë të fundit “xehetarët” iu gëzuan Kupës një dekadë më parë, në vitin 2012. Edhe para dhjetë vjetësh Trepça në finale e kishte mposhtur Bashkimin, që ka një Kupë të fituar.
Trepça është riorganizuar në vitet e fundit dhe tani vlerësohet prej skuadrave më të forta në vend. Mitrovicasit e nisën mirë ndeshjen, por një seri e Bashkimit bëri që prizrenasit të kalojnë në epërsi. Çereku i parë përfundoi me shifrat 26:19 në të mirë të Bashkimit.
Më pas u luajt ndeshje e barabartë dhe shumë e fortë. Shkëputjen Trepça e bëri vetëm në çerekun e katërt, duke shfrytëzuar edhe fondin e limituar të Bashkimit. Trepça ka më shumë lojtarë në të cilët llogarit trajneri dhe kjo bëri dallimin në fund.
Drilon Hajrizi ishte më i miri te Trepça me 24 pikë e 12 kërcime. Andrew Gordon i realizoi 21 pikë e dhjetë kërcime. Ndihmoi edhe Amin Hot me 15 pikë e dhjetë kërcime. Te Bashkimi u dallua John Florevus me 14 pikë e gjashtë kërcime. Julien Lewis shtoi 16 pikë e nëntë kërcime.