Kryeministri i Greqisë, Kiriakis Mitsotakis, ka thënë se shteti i tij nuk ka ndryshuar qëndrim për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.
Në një konferencë për media, pas një takimi në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Mitsotakis ka thënë se Greqia dëshiron normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë dhe se prandaj e përkrah vazhdimin e dialogut.
“Nuk kemi parë progres muajve të fundit dhe e di se Aleksandri është i përkushtuar për t’i vazhduar negociatat, për të zgjidhur këtë problem në mënyrën e duhur”, ka thënë Mitsotakis.
“Ne duam që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme, që do të ishte në interes të të dyja palëve dhe që do të krijonte atmosferë më të favorshme bashkëpunimi në Ballkan”.
Në anën tjetër, Vuçiq falënderoi Greqinë për mbështetjen e Serbisë në rrugën evropiane dhe për qëndrimin ndaj Kosovës. Kur është pyetur për të folur për çështjet rajonale, Vuçiq ka thënë se ka kërkuar nga Greqia të vazhdojë përkrahjen e “integritetit territorial të Serbisë, siç do ta përkrahim ne gjithmonë Athinën”.
Të dy janë lavdëruar për përmirësimin e raporteve ekonomike mes dy shtetesh.
Raportet në mes të Kosovës dhe Greqisë muajve të fundit është konsideruar të jenë zbutur për shkak të kontakteve më të shpeshta institucionale.