Xhavit Haliti për Gazetën “Enigma”, rrëfen momentin e shpalljes së Pavarësisë, tregon pse Thaçi e lexoi deklaratën

Xhavit Haliti për Gazetën “Enigma”, rrëfen momentin e shpalljes së Pavarësisë, tregon pse Thaçi e lexoi deklaratën

Kryesoi një nga seancat më të rëndësishme të Parlamentit, atë të 14 viteve më parë, kur u shpall Pavarësia e Kosovës. Nënkryetari i atëhershëm i Kuvendit, Xhavit Haliti ka rrëfyer për Gazetën “Enigma”, përjetimet e tij në një nga ditën më historike të vendit, kur filluan hapat e parë të rrugëtimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, në 14 shkurtin e vitit 2008.

Ai në një intervistë ekskluzive për “Enigmën”, tregon se si erdhi deri tek marrëveshja për leximin e deklaratës së pavarësisë, nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, si dhe për përgatitjet rreth pamjes së flamurit të shtetit më të ri në Evropë.

“Kemi pasur një përgatitje disa javore për atë ditë, paraprakisht është përgatit flamuri i Kosovës, është miratuar varianti, e shikimit vizuel dhe shpjegimit që e kanë bërë për dizajnin e tij. Këtë e kanë bërë njerëz të veçantë, në institucione të vendeve ndërkombëtare, dhe është përcaktuar dita e mbajtjes së seancës, dhe çdo detaj tjetër”, theksoi Haliti.

Ai tutje shpjegoi se “Paraprakisht është zhvilluar një debat në mes të tre udhëheqësve të institucioneve të atëhershme, të presidentit Fatmir Sejdiu, kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Parlamentit, Jakup Kransiqi lidhur me fjalën se kush do ta mbaj fjalimin kryesor, dhe kanë ardhur mediat vendore dhe ndërkombëtare nga gjitha anët, dhe ka qenë një solemnitet i veçantë”, nga ku siç thotë Haliti u vendos që Thaçi ta lexonte deklaratën e Pavarësisë.

“Pavarësia u shpall nga Kuvendi, jo nga individë”

Gazeta Enigma: Ishit një nga deputetët që morët pjesë në seancën kur u shpall pavarësia e Kosovës, çka mbani mend nga ajo ditë?

 Haliti: Unë e kam udhëheq seancën atë ditë. Kemi pasur një përgatitje disa javore për atë ditë, paraprakisht është përgatit flamuri i Kosovës, është miratuar varianti e shikimit vizuel dhe shpjegimit që e kanë bërë për dizajnin e tij. Këtë e kanë bërë njerëz të veçantë, në institucione të vendeve ndërkombëtare, dhe është përcaktuar dita, ditë e veçantë, për të cilën është diskutuar koha, mënyra. Paraprakisht është zhvilluar një debat në mes të tre udhëheqësve të institucioneve, të presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Parlamentit lidhur me fjalën se kush do ta mbaj fjalimin kryesor, dhe kanë ardhur mediat vendore dhe ndërkombëtare nga gjitha anët, dhe ka qenë një solemnitet i veçantë. Presidenti, kryeministri, kryetari i parlamentit janë ulur së bashku në tavolinën ku kanë firmosur deputetët. Unë i kam thirrur një nga një për të votuar dhe vet dikur kam shkuar dhe e kam nënshkruar aktin e Pavarësisë. Gjithçka ka shkuar në kuadër të normalitetit ose më mirë të them në kuadër të një solemniteti të veçantë ku deputetët e Kuvendit, përjashtuar ata të komunitetit serb të cilët nuk kanë votuar, dhe kështu u shpall Deklarata e Pavarësisë, pra Pavarësia e Kosovës dhe nga aty kemi filluar një sistem të ri të funksionimit të vendit.

Gazeta Enigma: Z.Haliti e përmendët deklaratën e Pavarësisë të cilën e ka lexuar kryeministri i atëhershëm, z.Hashim Thaçi. Ka pasur debat sa i përket kësaj çështje se pse ai e ka lexuar deklaratën dhe jo kryesuesi i seancës. A ka pasur diskutim të brendshëm për këtë, dhe a janë pajtuar të gjithë që Thaçi ta lexoj?

Haliti: Unë thash që diskutimet janë zhvilluar në mes tre liderëve të institucioneve, z. Jakup Krasniqi, z. Fatmir Sejdiu dhe z.Hashim Thaçi. Unë s’kam qenë prezent se si janë zhvilluar bisedimet, nuk e di, por ka qenë një marrëveshje në mes kësaj treshe. Pavarësinë e Kosovës e ka shpallur Kuvendi i Kosovës, s’ka rëndësi kush ka lexuar.

Stagnimi 14 vjeçar i Kosovës, sipas Halitit

Gazeta Enigma: 14 vite më pas, a është Kosova aty ku keni dashur ta shihni?

Haliti: Unë nuk jam i kënaqur me të arriturat, sepse kam menduar që do të ketë angazhime shumë më serioze, do të ketë një kompletim të institucioneve dhe njerëzve ekspert të fushave të ndryshme, veçanërisht të ekonomisë dhe të zhvillimit të cilët do të bashkëpunonin dhe orientonin anën zhvillimore të ekonomisë së Kosovës. Fatkeqësisht kjo nuk është bërë dhe pasojat janë të dukshme, sepse ekonomia është dobësuar për shkak se nuk ka investime të jashtme, nuk ka investime serioze në Kosovë dhe kjo është pasojë e politikave të gabuara që kanë ndjekur qeveritë njëra pas tjetrës, por mbi të gjitha janë edhe disa pengesa të cilat janë evidente, p.sh statusi i padefinuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, akoma në disa shtete Kosova nuk është njohur, pesë shtetet e BE-së që tashmë dihen dhe akoma s’ka përfunduar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta Enigma: A ka pasur ndonjë progres që ia vlen të përmendet përgjatë këtyre viteve?

Haliti: Po, si s’ka pasur progres. Suksesi është i përbashkët, sepse me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare çoftë të UNMIK-ut, çoftë të EULEX-it, ne kemi arritur që të kemi institucione të qëndrueshme, kemi arritur që të ndërtojmë një demokraci pa marrë parasysh që herë pas herë ka pasur sprova, kemi arritur të organizojmë zgjedhje të rregullta dhe të besueshme me pak probleme. Kemi arritur të ndërtojmë një sistem ta quajmë kapilarësh komunikimi me Evropën, kemi arritur që të kontrollojmë kufijtë e Kosovës vet, kemi arritur që organet e sigurisë t’i kemi mirë të organizuara dhe të sistemuara.

“Gjykata Speciale, gjykatw e Kosovws, jo e Serbisw”

Gazeta Enigma: Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi i cili ishte ai që lexoi deklaratën e pavarësisë, sot ndodhet në Hagë, së bashku me ish kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, si e konsideroni ju këtë gjë?

Haliti: Ne kemi pasur një proces të përbashkët të njohjes së kësaj Gjykate, e cila është e Kosovës, nuk pajtohem që është një gjykatë e Serbisë, sepse ne si Parlament e kemi votuar dhe në çoftë se e ka votuar parlamenti atëherë është gjykatë e Kosovës. Përpjekje për t’i dënuar njerëzit që kanë luftuar dhe kanë organizuar UÇK-në ka pasur edhe më herët dhe deri tani pothuajse të gjithë, përjashtuar një rast që është dënuar për krime lufte, nuk ka pasur fenomene për të cilat është dënuar dikush. Akuza të gjata që vazhdojnë edhe sot, kundër UÇK-së dhe drejtuesve të saj, që janë të gjallë kanë pasur synim atë që ta komprometojnë UÇK-në dhe mendoj që duke u bazuar në qëndrimet që i lexoj që vijnë nga Beogradi, e nga vendet që s’e kanë dashur pavarësinë e Kosovës dhe nuk i duan shqiptarët ata thonë që UÇK ka bashkëpunuar me kriminel lufte, por besoj që familjarët e Krasniqit dhe Thaçit, Kadriut e Rexhës e të tjerëve që kanë qenë dhe janë në Speciale kanë mall për ta.
Unë nuk jam i kënaqur që shokët e mi janë aty, por dua të them që ka qenë një gatishmëri e jona, duke përfshirë edhe presidentin, ish kryetarin e parlamentit e gjithë deputetët që të përballemi me drejtësinë për ta hequr njollën të cilën janë përpjekur të na m’veshin ndërkombëtarisht armiqtë e shqiptarëve, dhe armiqtë e NATO-s. Në këtë rast po besoj që në bazën e fakteve që s’i kanë gjykata do të nxjerr një vendim të drejtë dhe shpresoj dhe besoj që vendimi përfundimtar do të jetë pafajësia e tyre.

Gazeta Enigma: Mesazhi i juaj për ditën e pavarësisë për rininë kosovare, që dita e ditës po largohet nga vendi?

Haliti: Janë dy mundësi, ajo e vendosjes së diktaturës dhe të mbylljes së Kosovës dhe me ligj të ju ndalohet qytetarëve të Kosovës që të ikin nga Kosova, diçka që nuk bëhet sot, dhe pjesa tjetër është apel për politikanët e Kosovës, për Qeverinë e Kosovës edhe për ata që e duan Kosovën. Krijoni politika dhe ofroni politika joshëse për investime në Kosovë dhe kjo do ta ndryshoj situatën. Unë po besoj që askush nuk ikën nga Kosova nga qefi, por për të pasur një jetë më të mirë, për të pasur një punë përmes së cilës mund ta mbajnë familjen e tyre dhe nga Kosova askush nuk ik për shkak të presionit politik ose dhunës politike dhe të kërkoj azil nëpër Evropë. Fatkeqësisht po ik një pjesë e madhe e intelektualëve të ri, disa që kanë kualifikime të jashtëzakonshme veçanërisht në IT, mjekësi, në fusha të ndryshme për të cilat perëndimi ka nevojë dhe është publike që Gjermania, Zvicra, etj, kanë oferta të hapura për njerëzit që duan të emigrojnë, sepse kanë nevojë për fuqi punëtore. Pra, kemi nevojë për një arsimim, për një sistem shëndetësor, kemi nevojë për siguri shëndetësore dhe kemi nevojë për të pasur njerëzit siguri për të ardhmen e tyre në Kosovë. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles