Qytetarët pro tërheqjes tjetër nga Trusti, VV-ja e LDK-ja kundër (VIDEO)

Qytetarët pro tërheqjes tjetër nga Trusti, VV-ja e LDK-ja kundër (VIDEO)

Qytetarët e vendit po e konsiderojnë infuzion propozimin e Bekim Haxhiut të PDK-së për tërheqjen e radhës nga Trusti.

Tërheqja e 10 përqindëshit të trustit, ishte ndihmë e madhe për ta. Por, pas më shumë se një viti, kjo formë e ndihmës financiare është riaktualizuar sërish si ide.

Me ngritjen e çmimeve, qytetarët konsiderojnë që tërheqja e një pjese tjetër të kursimeve, do të ishte infuzion për ta.

E kjo po shihet si një veprim shumë i duhur veçanërisht tani pas ngritjes së çmimeve.

Madje qytetarët mendojnë se nga Trusti mund të investohet më shumë në Kosovë.

Së fundi idenë e tërheqjes së një përqindje të kursimeve nga Trusti, e ka propozuar Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili tregon arsyet për këtë.

Ndonëse qytetarët po e mirëpresin këtë propozim, ai nuk po gjen mbështetje as nga partia në pushtet, por as nga partitë tjera opozitare.

Një gjë e tillë po cilësohet si propozim i varfër intelektualisht nga Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndonëse tërheqja e 10% të Trustit u bë gjatë kohës kur ai ishte kryeministër, tani, as Avdullah Hoti nga radhët e LDK-së këtë propozim nuk po e sheh të duhur.

Sipas tij gjendja në vend tashmë është normalizuar.

Me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, kur qytetarëve iu mundësua të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti, për katër muaj sa zgjati aplikimi, u tërhoqën mbi 197 milionë euro.

VIDEO

Related Articles