Disa qindra afganë të cilët gjenden në kampin Bechtel që menaxhohet nga NATO-ja, pritet të largohen nga Kosova, deri në fund të marsit.
Klani Kosova mëson nga burime brenda qeverisë amerikane, se gati për periudhë të njëjtë planifikohet të largohen edhe 200 të tjerë që aktualisht gjenden në kampin Liya në Bondsteel, të cilët janë në procedura të verifikimit dhe kontrolleve tjera të sigurisë.
Këta familjarë, kryesisht gra e burra, si edhe fëmijë të punësuarve të qeverisë amerikane në Agfanistan kanë mundësi të udhëtojnë për në vendet evropiane, por kanë këmbëngulur të dërgohen vetëm në Amerikë, sikur që ka ndodhur me 400 bashkëvendës tjerë të tyre që po ashtu qëndronin në Liya.
Kjo ka shtyrë udhëtimin e tyre, derisa gjithsecili nga ta të mos konsiderohet rrezik për Sigurinë Kombëtare të SHBA.
Vettingu u intensifikua, edhe pasi Wall Street Journal raportoi javë më parë se afër 10 prej të evakuuarve dyshohen për lidhje me talibanët dhe grupe tjera terroriste.
Ndonëse tash e një muaj ende nuk është folur për këtë verifikim zyrtarisht, kjo procedurë po i bie të kryhet më shpejt se sa i ka dhënë Kosova afat Amerikës. Kjo të paktën sipas afatit që konfirmon ambasada e SHBA në Prishtinë.
“Kontrollet e sigurisë dhe procesi i verifikimit është gjithëpërfshirës, kërkon kohë dhe përkushtim të disa agjencive qeveritare. Ne jemi të përkushtuar që ta përfundojmë procesin e verifikimit dhe kontrollet e sigurisë si dhe rivendosjen e afganëve që po qëndrojnë në kampin Liya në Bondsteel brenda 365 ditëve që Qeveria e Kosovës na ka ofruar bujarisht”, thuhet në përgjigjen e Eric Brassil, zëdhënës në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.
Nga 29 gushti në Kosovë zbarkuan 1,307 afganë.