Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur lidhur me rritjen e pagës minimele, nivelin e së cilës tha se do ta bëjnë publik së shpejti, raporton Gazeta “Enigma”.
“Në koordinim me Këshillimin Ekonomik Social së shpejti do të propozojmë nivelin e pagës minimale”, tha Kurti.
Ndryshe, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.
Në Programin e Qeverisë së Kosovës për periudhën 2021-2025, shkruan se paga minimale do të rritet në 250 euro.
Teksa kishte njoftuar për këtë ndryshim, kryeministri Kurti ka premtuar se paga minimale do t’u sigurojë qytetarëve jetë e dinjitetshme.
“Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, kishte thënë ai. / Gazeta Enigma.