Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se agresioni i vazhdueshëm rus kundër vendit të tij tregoi se sanksionet e vendosura ndaj Moskës nga Perëndimi nuk ishin të mjaftueshme.
Zelenskiy tha se bota po vazhdonte të vëzhgonte se çfarë po ndodhte në Ukrainë “nga larg”.
Ai foli pasi autoritetet e Ukrainës thanë se kryeqyteti Kiev ishte goditur nga raketat ruse në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se kryeqyteti i Ukrainës ka pësuar nga sulme “të tmerrshme” të Rusisë.
“Sulme të tmerrshme me raketa nga Rusia në Kiev”, shkroi Kuleba në Twitter.
“Hera e fundit kur kryeqyteti ynë përjetoi diçka të ngjashme ishte në vitin 1941 kur u sulmua nga Gjermania naziste.Ukraina e mundi të keqen atëherë dhe do ta mund edhe këtë”, shkroi ai.
Kuleba bëri thirrje për sanksione më të forta ndaj Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin.
Ai kërkoi që shtetet të këpusin të gjitha lidhjet me Moskën dhe “të përjashtojnë Rusinë nga çdo vend”.
“Ndaleni Putinin, izolojeni Rusinë”, shkroi ai.
Ndryshe, ministrat e jashtëm nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian do të takohen të premten për një seancë urgjente mbi pushtimin rus të Ukrainës.
Diplomatët thanë se takimi do të përfshijë diskutimin e opsioneve të mëtejshme për të mbështetur Ukrainën dhe mënyrën se si blloku duhet të merret me Rusinë tani e tutje.
Ky takim vie pasi udhëheqësit e BE-së ranë dakord për një paketë të re masive sanksionesh ndaj Rusisë të enjten mbrëma që shënjestron sektorët e energjisë, financave dhe transportit të vendit.