Forcat detare franceze kanë ndaluar një anije mallrash në Kanalin Anglez, e cila ishte nisur drejt qytetin rus, Shën Petersburg.
Zyrtarët francezë i thanë televizionit BBC se anija u ndalua në linjë me sanksionet e reja të BE-së dhe thanë se është drejtuar për në portin verior francez, Boulogne-Sur-Mer, përcjell Gazeta Enigma.
“Një anije ruse e mallrave, e gjatë 127 metra, e quajtur “Liderja e Baltikut” dhe që transportonte vetura, është ndaluar gjatë natës nga Forcat Detare Franceze në Kanal dhe është përcjellë për në Portin e Boulogne-Sur-Mer-it në veri të Francës”, tha një zyrtar francez.
“(Anija) është dërguar në portin francez pas një kërkese të qeverisë franceze, sepse ajo dyshohet se i përket një kompanie të shënjestruar nga sanksionet e BE-së kundër Moskës. Forcat kufitare franceze tash për tash janë duke e hetuar anijen e mallrave. Ekuipazhi i anijes “Liderja e Baltikut” ka bashkëpunuar me autoritetet franceze”, shtoi ai.
Agjencia ruse e lajmeve, RIA, raportoi se ambasada ruse në Francë do të kërkojë sqarime nga autoritetet franceze për konfiskimin e anijes.