Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, ka deklaruar pas barazimit me Prishtinën se ka qenë i befasuar me luftën që ka treguar kundërshtari në fushë.
Sipas tij, Prishtina ishte e motivuar me premia.
“Na befasuan sot Prishtina për luftën dhe dëshirën që treguan për fitore. Sikur të luftonin kështu me të gjithë do të ishin në garë për titull. Sigurisht paskan pasur premia, ju bëfshim mirë”, tha Munishi.
Megjithatë, Munishi thotë se barazimi ka qenë rezultat real.
“Rezultati është real. Ne luajtëm shumë mirë në pjesën e parë dhe në fillim të pjesës së dytë. Prishtina filloi me bë trysni. Kur është dashur që ne të realizojmë golin e tretë, nuk i shfrytëzuam rastet dhe pësuam. E morëm golin e parë nga gabimi ynë. Para ndeshjes kemi biseduar për ndërprerjet, edhe pse Prishtina e ka skuadrën e vogël. Duhet me marr mësim nga kjo ndeshja”, u shpreh trajneri i Gjilanit.
“Ka ndeshje të mjaftueshme. Besoj që ende nuk është pasqyra reale e të gjitha ekipeve. Ne duhet të koncentrohemi. Po na len shije të keqe ky barazim. Kur pëson golin e parë lehtë, goli i dytë ishte mjeshtri e Endrit Krasniqit. Ishte faji i tij që bëri euro-gol. Johni na krijoj shumë probleme. Na ka lënë pasoja ajo ndeshja me dhjetë lojtarë. Si do që të jetë, ne jemi këtu”.
Me 43 pikë, Gjilani renditet në vendin e dytë. Ka dy pikë më pak se Ballkani./GazetaEnigma/