Lufta Rusi-Ukrainë ka ngjallur ‘frikën’ tek populli kosovarë si i provuar me luftë, ku edhe nëpër postime të ndryshme në rrjete sociale kanë shfaqur shqetësimin e tyre nga publikimi i shpeshtë i lajmeve dhe fotografive nga lufta në Ukrainë, të cilat i kanë kthyer mbrapa në kohë, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Një gjë e tillë e të raportuarit nga psikologu, Rron Kastrati, po vlerësohet si shumë e ndjeshme e cila mund të ketë ndikim jo të mirë psikologjik, e cila mund të shkaktoj rikthim të kujtimeve dhe eksperiencave traumatike nga lufta e fundit në Kosovë.
“Postimet, lajmet, dhe publikimet e fundit nga lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë janë të ndjeshme. Perceptimi i publikut në Kosovë ndaj këtyre ngjarjeve është i afektuar dhe ushqen sentimentalitet ankthioz, të dhimbshëm dhe mund të shkaktoj rikthim të kujtimeve dhe eksperiencave traumatike nga lufta e fundit në Kosovë kundër okupatorit serb”, ka thënë ai.
Psikologu, Rron Kastrati, në një prononcim për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se gjendja e fundit me luftën në Ukrainë mund të shkaktojnë gjendje të ndryshueshme psikoemocianale edhe tek populli jonë.
“Psikologjia si shkencë e inkurajon empatinë njerëzore, megjithëse në raste të tilla këto lajme dhe informacione mediatike nëse në permanencë ripërsëriten mbi ngjarjet e fundit në Ukrainë mund të shkaktojnë gjendje të ndryshueshme psikoemocionale, sepse fazat pandemike referuar studimeve të fundit shkencore në mbarë Globin kanë dëmtuar mirëqenien e shëndetit mendor”, ka thënë Kastrati.
Tutje ai ka shtuar se e gjithë kjo çështje “ka ndikuar mbi popullatat e secilit shtet, varësisht nga natyra dhe intensiteti i shfaqjes së stresorëve Pandemik e mbi kushtet e përjetuara të ankthit në periudhat e alarmit ateherë kur virulenca ishte e rrezikshme dhe vdekjeprurëse”.
Në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, sociologia, Ganimete Ademi, ka thënë se ne jemi një popull optimist i cili nuk i humb shpresat.
“Ne jemi dëshmuar shumë herë se jemi popull optimist, madje disa vite me radhë e kemi bajt bajrakun në botë për optimizëm dhe jemi radhitur në vendet e para të listës së Asociacionit Gallup International në mbarë globin ku merr pjesë edhe Kosova, andaj mendoj që pavarësisht vështirësive dhe sfidave që ne si popull i kemi kaluar nuk i kemi humbur shpresat”, ka thënë Ademi.
Tutje ajo ka shtuar se e gjithë kjo “padyshim që është vlerë kultutore, por që kohët e fundit vërehet një lodhje e përgjithshme sociale e natyrshme duke pasur parasysh që brenda vetëm 2 dekadave jemi ballafaquar me luftë, tranzicion, revolucion mediatik e kulturor, me pandemi e cila na ka lënë shumë pasoja si në aspektin psikologjik ashtu edhe ekonomiko social”.
Sipas sociologes Ademi lufta në Ukrainë ka ndikuar shumë edhe në popullin tonë.
“Aq shumë po ndikon ajo luftë atje sa ne jemi çrregulluar këtu, në markete sheh rafte të zbrazura që ta japin ndjenjën e frikës, edhe pse përpiqesh t’a injorosh, në muhabetet e ndërsjellta dëgjon vetëm analiza e konkluzione që janë thjesht amatere, sepse sikur të ishim popull me aq shumë analista sigurisht gjendja jonë e përgjithshme do të ishte në nivel ndryshe”, ka përfunduar ajo.
Ndërkohë, tashmë në Kosovë është e pranishme qendra “Linja e Jetës”, e cila është qendër telefonike për parandalim të vetëvrasjes e cila ofron shërbim telefonik konfidencial dhe pa pagesë për të gjithë personat me mendime për vetëvrasje.
“Linja e Jetës” edhe në këtë periudhë të rënduar nga lufta në Ukrainë ka treguar gatishmëri për të për të qëndruar pranë të gjithë atyre që kanë një problem dhe kërkojnë ndihmë tek ata.
Në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, nga “Linja e Jetës” kanë bërë të ditur se lufta në Ukrainë padyshim që ka ndikuar në rritjen e telefonatave për të kërkuar ndihmë në këtë qendër.
Tutje nga kjo qendër kanë theksuar se “rreth ndikimit të luftës në Ukrainë në shëndetin mendor të qytetarëve të Kosovës, pa dyshim se ka ngritë ndjenja të pa sigurisë dhe të ankthit. Si shtet i pas-luftës, traumat e saj janë ende pjesë e shoqërisë tonë dhe si të tillë është lehtë që të na dalin në sipërfaqe në situata të tilla”.
“Për këtë arsye nevojitet edhe vëmendje nga institucionet e Kosovës për ata persona të cilët janë më të ndikuar”, ka, thuhet në përgjigjen e tyre.
Kujtojmë se “Linja e Jetës” është e hapur për të pranuar thirrje pa pagesë në numrin 0800 12345, çdo ditë nga ora 14:00 deri në orën 02:00 pas mesnatës. Të gjitha thirrjet janë anonime dhe konfidenciale./Gazeta Enigma/