Meta, kompania amë e Facebook-ut, ka thënë se do të kufizojë qasjen në mediat shtetërore ruse, RT dhe Sputnik në platformën e saj përreth Bashkimit Evropian.
Nick Clegg nga Meta, ka thënë se kjo kompani ka marrë kërkesa nga disa qeveri dhe Bashkimi Evropian për të marrë hapa lidhur me mediat e kontrolluara nga Rusia në platformat e saj.
Clegg ka thënë se Meta do të vazhdojë të punojë nga afër me qeveritë për këtë çështje
Bashkimi Evropian ka thënë të dielën se do të ndalojë transmetimin e televizionit shtetëror rus, RT dhe agjencisë së lajmeve, Sputnik.
Edhe operatorët kanadezë kanë thënë se do të bllokojnë qasjen e kanalit, RT.
Aktiviteti i këtyre mediave në platformat e rrjeteve sociale është bërë temë diskutimi për kompanitë e mëdha teknologjike gjatë pushtimit të Ukrainës, veprim që Moska e ka quajtur “operacion special”.
Meta, Microsoft dhe kompania amë e platformave Google dhe YouTube kanë marrë masa së fundi për të kufizuar mediat ruse që të fitojnë para nga reklamat në këto rrjete./REL