Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është deklaruar rreth situatës së krijuar në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmës kësaj deklarate, ai thotë se është presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ai që ka zgjedhur luftën, sepse me nisjen e sulmit në Ukrainë, ambasadori amerikan pohon se i pari shtetit rus, kreu sulm edhe mbi parimet që mbështesin paqen dhe demokracinë globale.
”Ky është çast i rrezikshëm për Evropën dhe njerëzit liridashës anembanë botës. Me nisjen e sulmit të tij të tmerrshëm kundër popullit të Ukrainës, Vladimir Putini gjithashtu kreu sulm mbi parimet që e mbështesin paqen dhe demokracinë globale. Por, populli i Ukrainës është i qëndrueshëm. Ata kanë pasur demokraci me dekada të tëra dhe trimëria e tyre po e frymëzon botën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë anembanë globit, do të vazhdojnë të mbështesin popullin ukrainas përderisa e mbrojnë vendin e tyre”, tha ai.
Sipas ti zgjedhja e Putinit, do ta shkatërroj të ardhmen e popullit rus.
“Në vend të investimeve për nevoja të rusëve, Putini zgjodhi që të paguajë për një luftë, prandaj pushtimi i Ukrainës do të jetë dështim strategjik për Kremlinin dhe do të shkatërrojë të ardhmen e popullit rus. Kur të shkruhet historia e kësaj epoke, do të tregojë se zgjedhja e Putinit për të nisur një sulm të paprovokuar, të padrejtë dhe të paramenduar e la Perëndimin më të bashkuar dhe Rusinë gjithnjë e më të dobët”, tha tutje ai. / Gazeta Enigma.