Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pranuar gabimin drejt detajeve të dhëna nga takimi që pati me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Bislimi, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, i ka replikuar Berge-it, duke e relativizuar gabimin dhe duke shtuar se në vend të fjalës “mirëpriti” duhej “u informua”.
“Me të vërtetë jam falënderues ndaj Bjorn Berge për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve me të. Më vjen keq për zgjedhjen e termit jo-adekuat në cicërimën time të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhej të ishte “ne informuam””, ka shkruar Bislimi.
Kundërpërgjigja e tij vjen pasi diplomati evropian përgënjeshtroi detajet e dhëna nga Bislimi për takimin mes tyre.
Berge, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, ka thënë se “mjerisht, nuk është përshkrim i saktë i asaj që deklarova’, duke shkruar mbi cicërimën e Bislimit.
“Ky, mjerisht, nuk është përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm [të Kosovës] në KE [Komisionin Evropian]”, thuhet në një reagim të tijin në ‘Twitter’.
Në anën tjetër, numri dy i ekzekutivit të Qeverisë, thoshte se Berge ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për anëtarësim në KE.
“Kënaqësi që takova Bjorn Bergen gjatë qëndrimit tim në Strasburg, i cili mirëpriti iniciativën e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin Evropian. Diskutimi ynë u përqendrua edhe në theksimin e progresit të Kosovës, reformave dhe harmonizimit me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme”, ka shkruar Bislimi./Gazeta Enigma/
Really thankful to @DSGBjornBerge for the excellent meeting and the exchange of views. Truly sorry for the choice of the inadequate term in my last tweet. Instead of “he welcomed”, the correct description should state “we informed”. https://t.co/hpI3U1VFUJ— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) March 10, 2022