Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Turqi, sërish është takuar me presidentin turk, Rexhep Tayiip Erdogan, në kuadër të Edicionit të dytë të Forumit Diplomatik të Antalisë.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ishte një mundësi e shkëlqyer për të takuar dhe diskutuar me homologë e liderë nga mbarë bota për rëndësinë e aleancave dhe bashkërenditjes së qëndrimeve e veprimeve karshi zhvillimeve të fundit në Evropë.
“E falënderoj presidentin Rexhep Tayyip Erdogan dhe ministrin Mevlut Çavusoglu për mikpritjen e delegacionit tonë”, ka thënë Osmani.
Osmani ka takuar edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin ka shkëmbyer “vlerësime rreth zhvillimeve të fundit”.
Në kuadër të #ADF2022 ajo u takua me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, anëtarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Sefik Dzaferoviq dhe kryeministrin e nominuar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilët diskutoi për zhvillimet në rajon, rëndësinë e përshpejtimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për tejkalimin e sfidave dhe barrierave.
“Po përgjatë këtyre dy ditëve, takuam edhe Presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo, Kryeministrin e Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh, Ministren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Singaporit, Sim Ann, Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmidt, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Turkfolëse, Baghdad Amreyev, me deputetin e Parlamentit Evropian, Ilhan Kyuchyu, si dhe disa përfaqësues të shteteve jo njohëse”.
“Në të gjitha këto takime, së bashku me Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla-Schwarz, potencuam qëndrimin e Republikës së Kosovës në raport me zhvillimet rajonale dhe globale. ADF është shndërruar në platformë të përmasave globale për diskutime përmbajtësore e strategjike, e të cilat u realizuan në një moment tejet të rëndësishëm”,ka thënë Osmani./Gazeta Enigma/