Schuebel: BE-ja është në krah të Kosovës, të vazhdohet puna drejt synimit të përbashkët

Schuebel: BE-ja është në krah të Kosovës, të vazhdohet puna drejt synimit të përbashkët

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Dirk Schuebel, ka deklaruar se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, kohë kjo e karakterizuar kryesisht nga ngërçi institucional dhe tri palë zgjedhje brenda 16 muajve.

Ai ka vlerësuar se në këto rrethana ishte e pritshme që ritmi i reformave të ishte i ngadalshëm dhe kjo është reflektuar edhe në raport. Megjithatë, Schuebel ka theksuar se Kosova tashmë ka institucione plotësisht funksionale, çka krijon mundësi për të vazhduar përpara me reformat.

Gjatë konferencës për media, ambasadori ka thënë se raporti dëshmon se progresi është i mundur edhe në periudha të vështira. Si zhvillime pozitive, ai ka përmendur organizimin e zgjedhjeve të lira, paqësore dhe gjithëpërfshirëse, avancimin e nivelit të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe reformat në administratën publike, lirinë dhe sigurinë dhe lëvizjen e lirë të kapitalit.

Schuebel ka vlerësuar se në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore është shënuar progres domethënës, por ka theksuar nevojën për reforma të mëtejshme në drejtësi. Sipas tij, Bashkimi Evropian po punon ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë për këtë qëllim.

Ambasadori ka folur edhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se mandati i tyre duhet të respektohet.

“Mandati i Dhomave të Specializuara, që është aktualisht në fuqi, duhet respektuar, në linjë me obligimte ndërkombëtare dhe respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit”, tha Schuebel.

Në adresimin e tij, ai ka vënë në pah edhe nevojën për përmirësimin e lirisë së shprehjes dhe përditësimin e kornizës ligjore, përfshirë ligjet që rregullojnë Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Schuebel ka kërkuar gjithashtu luftë kredibile kundër korrupsionit dhe miratimin e një strategjie kundër korrupsionit, në përputhje me standardet evropiane.

Një tjetër fushë ku Kosova duhet të bëjë përparim, sipas ambasadorit, është përafrimi i legjislacionit dhe politikave me rregullat e BE-së në sektorët e mjedisit, ndryshimeve klimatike, bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.

“Këto nuk janë vetëm kërkesa të BE-së, por themele të një shoqërie prosperuese”, tha Schuebel.

Si zhvillim pozitiv, ai ka veçuar edhe harmonizimin e plotë të Kosovës me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë si dëshmi të përkushtimit ndaj vlerave evropiane.

“Kjo tregon përkushtimin tuaj për vlerat evropiane”, tha ai.

Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ambasadori ka theksuar se zbatimi i të gjitha obligimeve që rrjedhin nga ky proces është pjesë e pandashme e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian.

“Kemi dinamikë të re rajonale, ta shfrytëzojë Kosova këtë”, tha ai.

Në përfundim, Schuebel ka siguruar se Bashkimi Evropian mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për të avancuar drejt integrimit, duke theksuar synimin për një shtet stabil, multietnik dhe prosperues brenda BE-së.

“BE-ja është në anën e Kosovës dhe përkrah angazhimin e saj për të punuar drejt synimit të përbashkët”.

“Një Kosovë stabile, multietnike e prosperuese brenda BE-së”, tha ai.

Schuebel ka shtuar se BE-ja e trajton Kosovën njësoj si shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ka shprehur optimizëm se vendi mund të bëjë hapa përpara në rrugën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat.

Related Articles