Talenti i Watfordit ftohet nga kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e marsit

Talenti i Watfordit ftohet nga kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e marsit

Krahas ekipit A, edhe Kosova U-21 këtë muaj do t’i zhvillojë dy ndeshje.

“Dardanët e rinj” do të luajnë me Slloveninë më 25 e 29 mars në kualifikimet e Evropianit për të rinj.

Dhe, në mesin e të ftuarve nga ushtruesi i detyrës së selektorit të Kosovës U-21, Albert Bunjaki, e ka ftuar edhe futbollistin e akademisë së Watfordit, Andi Janjeva.

Ai ndihet mjaft i lumtur për ftesën, të cilës do t’i përgjigjet me kënaqësi.

“Ka qenë gjithmonë ëndërr e imja ta përfaqësoj Kosovën, që kur isha fëmijë”, deklaroi 19 vjeçari për “watfordobserver”.

“Fakti se nga vij është diçka që e marr me shumë nder dhe krenari. Mendoj se është një arritje e madhe dhe shpresoj që kjo të jetë pjesë e përparimit dhe kalimit tim në ekipin e parë sepse kjo është ëndrra ime përfundimtare”, vazhdoi qendërmbrojtësi kosovar.

“Isha i lumtur kur e mora lajmin, posaçërisht pasi kam qenë për disa vite me ekipin. Dhe, të ftohem prapë për t’u kthyer, është një ndjenjë fantastike. Kjo tregon se ata po më vëzhgojnë dhe se po më vlerësojnë lart”, shtoi futbollisti kosovar.

Janjeva e sheh këtë ftesë si një mundësi për t’u zhvilluar dhe për të pasur karrierë të suksesshme në të ardhmen.

Ai mezi pret ta ketë rastin të luajë ndaj emrave të njohur të futbollit, nëse Kosova arrin të kualifikohet në Evropian.

“Për zhvillimin tim është mjaft e mirë sepse ky është një Kampionat Evropian”, vazhdoi ai.

“Është një turne i rëndësishëm, shpresoj të arrijmë të kualifikohemi, do të ishte një arritje e madhe. Jo vetëm për mua, por për krejt vendin tonë, sepse do ta kemi mundësinë të përballemi me emra të mëdhenj dhe me kombëtare të forta”, shprehet futbollisti i lindur dhe rritur në Londër.

Në fund, ai foli për përballjen e dyfishtë të këtij muaji ndaj sllovenëve.

“Të dyja përballjet me Slloveninë do të jenë mjaft të vështira dhe të forta. Mendoj se kemi talent të madh në ekipin tonë, kështu që mendoj se do të bëjmë mjaft mirë”, përfundoi ai.

Related Articles