Komuna e Prishtinës, ka marrë vendim që të lirojë disa kategori nga pagesa e përdorimit të trafikut urban.
Këtë Komuna e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Policia e Kosovës, Zjarrfikësit dhe nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës lirohen nga pagesat e përdorimit të trafikut urban”.
Sipas Komunës, ky vendim është marrë në shenjë falënderim për punonjësit e linjës së parë si dhe “për të stimuluar përdorimin e transportit publik tek gjeneratat e reja”.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kishte njoftuar se bashkëpunimi i tyre me Komunën e Prishtinës filloi me vendimin për lirimin nga pagesa e udhëtimit të ushtarakëve të FSK-së me transportin urban.
“Me qëllim të mbështetjes së ushtarakëve të FSK-së dhe lehtësimit në funksionalitetin institucional të FSK-së, kryetari Rama nënshkroi sot vendimin për lirimin nga pagesa e ushtarakëve të FSK-së nga pagesa e udhëtimit me sistemin e transportit urban që menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Me kryetarin Rama, gjithashtu u dakorduam që, pas një analize dhe vlerësimi nga dyja palët, të arrijmë edhe Memorandumin e Bashkëpunimit në fusha tjera të interesit të përbashkët”, kishte shkruar ai.