Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 14 vjetorin e vdekjes ka kujtuar policin ukrainas, Ihor Kinal, i cili u plagos e më pastaj e humbi jetën në krye të detyrës derisa po shërbente në Kosovë në kudarë të UNMIK-ut.
Ai kishte marrë plagë të rënda gjatë një intervenimi të UNMIK-ut dhe KFOR-it më 17 mars 2008 kur ata hynë për të liruar Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në veri të Mitrovicës, të cilat ishin uzurpuar nga rreth 300 protestues të armatosur serbë.
“Protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, atë ditë kishin me vete armë dhe mjete të tjera shpërthyese me të cilat sulmuan policët. Ndër 88 ushtarakë e zyrtarë policorë, të KFOR-it e të UNMIK-ut, të cilët u plagosën apo lënduan ishte edhe polici i UNMIK-ut nga Ukraina, Ihor Kinal. Me 18 mars 2008, një ditë pas sulmit, 26 vjeçari ukrainas vdiq si pasojë e plagëve të rënda të marra me 17 mars”, ka shkruar Kurti.
“Ai la pas nënën, babain dhe motrën, dhe varri i tij sot ndodhet në afërsi të qytetit Ternopil, në një fshat në perëndim të Ukrainës. Në shkollën e tij të mesme, i është ngritur një memorial përkujtimor në nderim të shërbimit të tij në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë”, ka shtuar Kurti
I pari i ekzekutivit teksa ka përkujtuar dhe nderuar policin e ndjerë ukrainas ka uruar që familja e tij të jenë shëndosh e mirë.
“Ritheksojmë admirimin dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus”.