Sot gjatë ditës mediat kanë raportuar se një dron ka rënë në oborrin e një shtëpie në Mitrovicë.
Përveç kësaj, mediat raportuan se droni që ra i takon KFOR-it, derisa këta të fundit e kanë konfirmuar një gjë të tillë për Gazetën Enigma, duke thënë se droni ra si pasojë e mosfunksionimit.
LEXO EDHE: Një dron 2 metra bie në lagjen Bair të Mitrovicës
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja konfirmon se një nga dronët e tij u ul në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit”.
“Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është nxjerrë nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas uljes së tij”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Gazetën Enigma.
Tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se droni po kryente një mision rutinë në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it.
“Droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke e mandatuar KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet tutje në përgjigje.
Ndër të tjera, KFOR-i dëshiron të falënderoj popullatën lokale për mirëkuptim dhe bashkëpunim.
“KFOR-i dëshiron të falënderojë popullatën lokale për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin; dhe për kontaktimin e menjëhershëm të autoriteteve kosovare, duke bërë të mundur marrjen e menjëhershme të dronit dhe zbutjen e çdo shqetësimi të shkaktuar nga incidenti. KFOR-i tashmë ka filluar një hetim për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti”, nënvizohet nga KFOR-i. /Gazeta Enigma/.