Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkëbisedoi sot me përfaqësuesit e komunitetit ashkali për sfidat dhe mundësitë e këtij komuniteti, në tryezën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit.
“Ashkalinj në Kosovë ka më shumë se sa që duket, më shumë se sa që njerëzit kanë përshtypje dhe besoj që bashkërisht do të mund ta ndryshojmë edhe përfaqësimin edhe pjesëmarrjen në përputhje me numrin e juaj me popullsinë e gjithmbarshme, dhe me të drejtat që iu takojnë, edhe me të mirat të cilat i meritoni”, tha kryeministri.
Ai i falënderoi për angazhimin e deritanishëm dhe u zotua për të punuar bashkë më shumë e më mirë për komunitetin ashkali se cilado Qeveri e Kosovës së pasluftës.
Duke u shprehur i lumtur me përfaqësimin nga shoqëria civile dhe nga institucionet, kryeministri veçoi faktin se komuniteti ashkali përfaqësohet në pozita të larta në institucione qendrore e lokale.
Ai i njoftoi se tani fillojnë punën praktike të rejat dhe të rinjtë ashkali, që janë pranuar përmes konkursit të hapur për komunitetet nga Zyra për Çështjet e Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit.
Ndërsa, duke folur për grantet që do të ofrohen nga Zyra për Çështjet e Komuniteteve, me buxhet prej 1.5 milion euro, u bë e ditur se thirrja e parë është e hapur edhe për 6 ditë, ndërsa 2 thirrje të tjera do të hapen në prill dhe gjatë muajve të verës. Grantet do të ipen për punësim, për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe për aktivitete kulturore të komuniteteve.
E këto grante shkojnë krahas me investimin tonë të përgjithshëm në arsim, tha kryeministri.
Ai veçoi memorandumin e lidhur javën e kaluar mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për bursa për studentët nga komunitetet ashkali, rom dhe egjiptian dhe ndarjen e buxhetit prej 150 mijë euro për bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve.