Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas arrestimit të kosovarit Abaz Beqiraj në kufirin Hungari – Serbi.
MPJ thotë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka vendosur kontaktin me autoritetet serbe për t’i sqaruar rrethanat.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga mediat që sot, në kufirin Hungari-Serbi, autoritetet serbe mund të kenë ndaluar një qytetar të Republikës Kosovës. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd ka vendosur tashmë kontaktin me autoritetet serbe në përpjekje për të sqaruar rrethanat. Do t’ju mbajmë të informuar rreth detajeve”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Melihate Beqiraj, vajza e Abaz Beqirajt tha se babai i saj ka qenë në vizitë tek djali i tij në Gjermani ndërsa për arrestimin e tij janë njoftuar nga kompania me të cilën ishte duke u kthyer në Kosovë.
“Baba ka qenë për vizitë tek djali. Sot në 8:30 ka qenë në kufi me Hungarinë dhe Serbinë. Ka qenë t’u ardhur me autobus dhe ata na kanë lajmëruar se policia serbe na kanë arrestuar babin”, ka thënë ajo.