Fëmijë që përdoren si mburoja njerëzore nga trupat ruse gjatë tërheqjes, varre masive, viktima civilë, trupa të gjetur me duar të lidhura dhe të ekzekutuar.
Kjo është tabloja shkatërruese që del pas çlirimit të qytetit të Bucha-s.
Dëshmitarët akuzojnë ushtarët rusë për përdorimin e fëmijëve ukrainas si “mburoja njerëzore” në automjetet e tyre për të mbrojtur lëvizjet gjatë tërheqjes nga kryeqyteti ukrainas dhe pjesë të tjera të vendit.
Këtë e raporton britanikja “The Guardian”.
Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës po mbledh dëshmitë në një dosje. Flitet për karroca fëmijësh të vendosura përpara tankeve në fshatin Novyi Bykiv, afër Chernihiv-it, 100 milje në veri të Kievit.
Gjithashtu u raportua se fëmijët u morën si pengje në një numër pikash të nxehta konflikti në të gjithë vendin për të siguruar që vendasit të mos jepnin koordinatat e lëvizjeve të armikut për forcat ukrainase.
“Raste të fëmijëve që përdoren si mbulesë janë raportuar në rajonet e Sumy-t, Kiev-it, Chernihiv-it dhe Zaporizhzhi-së”, tha Lyudmila Denisova, avokate ukrainase për të drejtat e njeriut.
Kryetari i bashkisë së Bucha-s, Anatoly Fedoruk, tha se ka pothuajse 300 njerëz të varrosur në varre masive.
Dhe në të njëjtin qytet, të paktën 20 trupa të veshur me rroba civile u gjetën në rrugë, të shtrirë të vdekur.
Njëri prej kufomave i kishte duart e lidhura, siç dëshmuan edhe gazetarët në vend nëpërmjet fotove. / Gazeta Enigma.