Dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë, Bislim Ndreci ka folur para turpit gjykues për dy takime me Salih Mustafën në fshatin Barilevë të Prishtinës. Ai ka thënë se herën e parë janë takuar në muajin shkurt ose fillimin e marsit ndërsa takimi i dytë ka theksuar se ka ndodhur në mesin e muajit prill të vitit 1999.
Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit të mbrojtjes Betim Shala, dëshmitari ka thënë se gjatë luftës ka qëndruar në Barilevë, fshati i lindjes dhe vendbanimi i tij i përhershëm.
Ai ka thënë se gjatë periudhës së luftës, për shkak të prezencës së ushtrisë serbe në atë zonë, ka lëvizur nëpër lagje të ndryshme të fshatit, duke theksuar lagjen Vërboc, por edhe Vranidollin, ku sipas tij është dashur të transferojnë civilët.
Lëvizja e tyre ishte bërë më e shpeshtë pas 25 marsit të vitit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.
Ndreci ka thënë se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes njësisë “Barileva”, në krye të së cilës ka deklaruar që ishte komandanti Jusuf Shalaku.
E ky i fundit sipas dëshmitarit e kishte përgjegjës Salih Mustafën, të cilin edhe e kishte sjellë dy herë në fshatin Barilevë ku po qëndronte Bislim Ndreci, ushtarë të tjerë por edhe shqiptarë civilë.
Sipas dëshmitarit, në herën e dytë Mustafa kishte shkuar në Barilevë me një veturë Golf 2, bashkë me Jusuf Shalakun.
“Rasti i parë ka qenë shumë herët, në atë kuptimin shumë herët, diku në shkurt ose fillim marsi, rasti i dytë ka qenë diku mesi i prillit, ose aty diku, pjesa pak më larg se mesi. Me datë nuk mundem me caktu saktë, sepse është shumë kohë e gjatë dhe nuk kemi shënim, viti 1999”, ka thënë ai.
Datën e saktë kur është takuar me Salih Mustafën në muajin prill Ndreci nuk e kujton por këtë e llogaritë me dy ngjarje që ai i konsideron të rëndësishme e të cilat kanë ndodhur më 12 dhe 22 prill të vitit 1999.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka folur për vdekjen e Bedri Kurtit dhe Nexhmi Kaçiut më 12 prill të vitit 1999 në fshatin Barilevë.
Ai ka thënë se më 22 prill serbët janë kthyer në Barilevë dhe u kanë mbyllur rrugët në të cilat i transportonin civilët.
“Duke e përshkruar 12 prillin dhe duke e kujtuar 22 prillin, aty diku ka qenë mesi i asaj periudhe, sepse pas 22 prillit më nuk kemi qenë as neve aty dhe nuk kemi pasur mundësi më për kontakte, sepse na është vështirësuar puna nga forcat e ushtrisë serbe dhe na është mbyllur ai korridor. Më 12 prill e dimë që e kemi pasur ofensivën aty dhe kemi pasur dy viktima dhe një plagosje, ato mbahen mend se janë bukur të vështira kështu që është problem me pëshkru tash saktë se cila datë, kemi pasur vështirësi të shumta të kalimit të njerëzve dhe nuk mund ta përshkruajmë saktë”, ka thënë dëshmitari.
Duke folur për herën e dytë kur është takuar me Mustafën, ai ka thënë se ky i fundit ka qëndruar gjatë aty, derisa kishte marrë një telefonatë për civilë të plagosur.
Sipas tij, Salih Mustafa dhe Jusuf Shalaku ishin nisur për në fshatin Zllash me një automjet Golf 2.
“Kur deshën të nisen unë u takova me Jusufin, pse Jusuf po ikni kaq shpejt, tha ‘se e thirrën Calin, paska shumë të plagosur’, i thash ‘po vij edhe unë me ju’, tha ‘jo nuk mund të vish se është vështirë dhe këtu po ngelim keq’, thash ‘po kam dëshirë, me atë dëshirën e madhe për me shku me ta dhe me vozitë atë automjet, kam shkuar deri të një fshat diku të Gollakut, ata kanë vazhduar tutje unë jam kthyer me një traktor me të tjerë ushtarë prap për në Barilevë”, ka thënë ai.
Sipas dëshmitarit krejt kjo kishte ndodhur rreth katër ditë para datës 22 prill 1999.
Gjatë dëshmisë së tij, Ndreci ka thënë se në UÇK kishte shërbyer në kuadër të gueriles.
“Zyrtarisht dhe me dokumentacion nuk e di, neve gjeografikisht kemi qenë pak më larg Prishtinës dhe nuk jemi marrë kush me u është, ne kemi ndihmuar, kemi vepruar, kemi kontribuar edhe në brigadën 151 që nuk i kemi takuar asaj brigade. Kemi qenë ushtri vullnetare bile neve si njësit kemi qenë më tepër humanitar se vullnetare. Tani mund të themi kemi qenë ky ose ai, por diçka krejt zyrtare tek tani në fund është që kemi qenë pjesë e gueriles e kemi ditë gjithë, por atyre njësive të vogla qysh janë quajt e kemi kuptuar pasi ka mbaruar lufta”, ka thënë ai.
Dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes tutje do të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm. / Gazeta Enigma.