“Heshtni se ne po i mbajmë mbi 1 mijë punëtorë në sektorin e arsimit”, ishte përgjigja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në drejtim të SBASHK-ut, thotë Rrahman Jashari për Gazetën Enigma.
Rrahmani thekson se këto deklarata rrjedhën në momentin kur SBASHK-u paralajmëroi grevë, derisa thotë se në anëtarësi të tyre nuk ka si të mos lexohet ndryshe përveç se një tendencë për t’i frikësuar mësimdhënësit.
“Këto çështje jo rrallë ngriten nga ministrja e Arsimit, apo nga zv/ministri në momentin kur ne paralajmëron greva dhe kemi pakënaqësi të arsyeshme ndaj qeverisë dhe MASHT-it, dhe ata e permendin këtë çështje për të na e mbyllur gojën se kinse “heshtni se ne po i mbajmë mbi 1 mijë punëtorë në sektorin e arsimit”, ka thënë Jasharaj për Gazetën Enigma.
Mirëpo, ai thekson se mësimdhënësit nuk janë në mëshirën e MASHT-it, pasi ata kanë detyrat dhe normat e tyre.
Kryetari Jasharaj thotë se në sistemin arsimor në Kosovë nuk ka asnjë mësidhënës që nuk i mban orët mësimore.
“Në sistemin arsimor në Kosovë fatëkeqsishtka rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve, por asnjë rast nuk ka kur mësimdhënësit rrin në sallë tërë ditën, por ai mban orë mësimore dhe nuk kemi ne në sistemin arsimor të punësuar të pa angazhuar në lëndët e tyre dhe këta të fundit nuk kanë fajë që në një shkollë ka numër të vogël të nxënësve”, shtoi Jasharaj.
Ndër të tjera, Jasharaj shton se mësimdhënësit nuk janë fajtor dhe se Qeveria duhet të bëjë një plan afatgjatë që mësimdhënësit të trajnohen dhe të kualifikohen nëse është nevoja.
“Në asnjë rast, mësimdhënësit nuk janë fajtor dhe Qeveria duhet të bëjë një plan që mësimdhënësit t’i trajojë dhe t’i kualifikojnë nëse është nevoja, në mënyrë që ata të kenë detyra dhe përgjegjësi të tjera sepse qeveria nuk ka të drejtë dhe as nuk do të lejojmë që t’i hedhë në rrugë ata që kanë punuar me vite në edukimin e brezave, sepse edhe po të kishte treg pune dhe kërkesa të mëdha këta njerëz kanë kaluar një jetë të tërë në arsim”, thekson ai.
Si përfundim Jasharaj kërkon nga Qeveria një plan afatgjatë që gradualisht t’i përgatisë një numër të të punësuarve në sektorin e arsimit për detyra të reja.
Edhe Petrit Thaçi nga Qendra për Arsim në Kosovë mendon se arsyeja kryesore se pse mësimdhënësit nuk kanë orë të plota është rënia e numrit të nxënësve nëpër shkolla.
“Duke pasur parasysh që nevojat e shkollave janë të ndryshme, respektivisht disa shkolla, për shkak të uljes së numrit të nxënësve, mund të kenë mësimdhënës me orë jo të plota, apo në rastin më të keq edhe pa orë, e në anën tjetër”, ka thënë Thaçi për Gazetën Enigma.
Madje, ai konsideron se mënyra më e mirë për adresimin e kësaj çështje është që shkollat të gjejnë alternativa për sistemimin e mësimdhënësve.
“Kemi shkolla, ku klasat janë të mbingarkuara me nxënës, atëherë konsideroj që mënyra më e mirë për adresimin e kësaj çështje është që shkollat së bashku me DKA-të dhe MASHTI të gjejnë alternativa për sistemimin e të gjithë mësimdhënësve duke u bazuar në nevojat specifike të shkollave”.
Ai ndër të tjera tha se është e domosdoshme që ky proces të përcillet me programe të ndryshme për zhvillim profesional të mësimdhënëse.
Ndryshe, ditë më parë Sindikata e Arsimit të Kosovës, kanë paralajmëruar grevë në tërë sistemin arsimor, në rast se Qeveria nuk ua plotëson kërkesat e punëtorëve të arsimit.
Sipas tyre, 2 prilli mund t’i gjente dyert e mbyllura në arsim, por MASHT-I nuk pati konsideratë ndaj SBASHK-ut, duke u arsyetuar se po mbahen mbi 1 mijë punëtorë pa orë të plota.
Gazeta Enigma ka tentuar të marrë një qëndrim për këtë çështje nga Ministria e Arsimit gjatë tërë ditës, por nuk kanë qenë të qasshëm. /Gazeta Enigma/.