Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se e ka pasur obligim kushtetues, profesional e moral, që të merrte vendim për të kthyer në shkolla nxënësit e fshatrave të Kamenicës, që refuzonin të ndërronin shkollat për shkak të reformës së nisur nga ish-kryetari i komunës, Qëndron Kastrati.
Të premten, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e MASHT-it duke thënë se nuk ka qenë kompetencë e kësaj ministrie e se me këtë vendim është cenuar përgjegjësia komunale. Kastrati kishte nisur reformë në arsim duke mbyllur disa shkolla për shkak të numrit të vogël të nxënësve e nxënësit duke i bartur në objekte të tjera. Pas kundërshtimeve të banorëve, Nagavci pati marrë vendim për organizim të mësimit alternativ në objektet e shkollave në Kamenicë. Vendimi i saj u rrëzua nga Kushtetuesja.
“E drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet asnjë fëmije, nga askush. Është obligimi im kushtetues, profesional e moral që të angazhohem për realizimin e të drejtës për arsim për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh ku ata jetojnë. Vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar, për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës e kam marrë pasi dështuan të gjitha përpjekjet që një hap i tillë të ndërmirret nga kryetari i Komunës. Si Qeveri kemi obligim të sigurojmë vijimin e shkollës për të gjithë nxënësit dhe nuk mund të lejojmë që ata të bëhen peng i mosmarrëveshjeve në mes të Kryetarit të Komunës dhe komunitetit ku jetojnë”, ka thënë ajo duke shtuar se me vendimin e MASHT-it janë kthyer në bankat shkollore 441 fëmijë, pas 7 muajsh mungesë.
“Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve. Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste”, ka thënë tutje ajo në një shkrim në Facebook.