Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka bërë të ditur se në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, për muajin prill do të ndajë nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik dhe privat, pensionistët dhe personat që gëzojnë asistencë sociale.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Kurti me anë të një konference të ftuar për media, duke njoftuar edhe për rritje të pagës minimale.
“Si qeveri e RKS, nga muaji korrik i vitit 2021, e deri më sot kemi vazhduar të prezantojmë masa në kuadër të pakos ekonomike, e cila në qendër kishte qytetarin. Deri më sot, në kuadër të pakos ndamë 300 milionë euro. Prandaj, sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të pakos. Kështu, për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet. Pensionistët do t’ua ndajmë nga 100 euros shtesë për muajin prill. Për herë të parë, po mbështesim me nga 100 euro e punëtorët e sektorit privat. Pra, po ndajmë nga 100 euro për të gjithë punëtorët si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik”, ka deklaruar Kurti.
Tutje Kurti ka njoftuar se nga kjo pako përfitojnë edhe studentët.
“Të gjithë studentët do t’i marrin nga 100 euro. Vlera totale e këtyre masave është mbi 100 milionë euro. Pra edhe do ta rrisim pagën minimale, edhe do ta lirojmë nga tatimi. Ata që kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në fund të muajit”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Por një gjë e tillë nuk është se është pritur mirë edhe partitë opozitare në vend.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në një përgjigje për Gazetën Enigma në lidhje me këtë çështje ka deklaruar se Qeveria po ofron 100 euro lëmoshë për një muaj.
“Qeveria po ofron 100 euro lëmoshë për një muaj, kërkesa e qytetarëve është të u mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu thotë se Qeveria Kurti duhet t’i japë prioritet e t’i mbështesë më hsumë kategoritë e rrezikuara sociale dhe të papunët.
“Qeveria do të duhej që me këto mjete të mbështeste të papunët, kategoritë e rrezikuara sociale, pensionistët dhe sektorin privat e publik me të hyra të ulëta dhe jo në mënyrë unilaterale për të gjithë, si ai që ka pagën 1.500 euro dhe si ai me pagë 200 euro”, ka thënë Haxhiu për Enigmën.
Ai ka theksuar se nuk do të heqin dorë nga ndarja e Trustit dhe kërkon që procedimi i tij të bëhet sa më shpejt në Kuvend.
“Qeveria nuk duhet ta prolongoj mendimin për Projektligjin për Trustin, ta procedoj sa më shpejt në Kuvend që ta miratojmë kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Duke miratuar kërkesën e qytetarëve, ju ndihmoj atyre jo vetëm për një muaj, por për ta përballuar krizën ekonomike”, ka theksuar Haxhiu.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se shuma prej 100 euro e cila do t’iu jepet punëtorëve të sektorit publik e privat, studentëve dhe pensionistëve, është e vogël.
Në një konferencë për media, Haradinaj ka theksuar se të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe i bëri thirrje Qeverisë që t’i rrisë pagat për të gjitha kategoritë.
“Qeveria duhet të veprojë si qeveri e shtetit. Qytetarët kanë nevojë edhe për 1 euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masat që zgjasin vetëm 1 muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 euro që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje të krizës financiare qytetare. Kjo shumë është e vogël që Kurti ta fsheh dështimin e tij për rritjen ekonomike dhe rritjen e pagave për të gjithë”, ka deklaruar Haradinaj.
Tutje Haradinaj ka shtuar se “të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe të përhershme dhe qeveria e vendit duhet që urgjentisht t’i rris pagat për të gjitha kategoritë. Ne propozojmë që paga minimale të jetë 370 euro, pagat s’kanë lëviz, s’ka rritje të pagave me vite. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë ligjin e pagave me rritje prej 33 për qind të pagave për të gjitha skemat pensionale”.
Edhe sipas Haradinaj ligji për tërheqjen e Trustit duhet të kalojë dhe qeveria t’ua kthej qytetarëve paratë për faturat e rrymës.
“Qeveria duhet të veprojë pa vonesë me zbrit TVSH-në për artikujt ushqimor dhe ta heq taksën për pagat nën 370 euro. Qysh sot të kalojë ligji për tërheqjen e trustit, të paktën 15 për qind dhe menjëherë pa vonesë me ua kthy paratë qytetarëve për faturat e fryra të rrymës”, tha Haradinaj.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik, privat, pensionistë e studentë, po mirëpritet nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat.
Kryetari i Sindikatës Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një deklaratë për media ka theksuar se do të luftojnë që këto mbështetje të bëhen të përhershme e jo të përkohshme.
“Ne si sindikatë mendojmë se edhe 10 cent nëse Qeveria e Kosovës ndan për punëtorët është një diçka për të cilën e ndjen se ka obligim ose do t’a zbutë gjendjen. Megjithatë ne luftojmë që këto zgjidhje të bëhen të përhershme dhe jo të përkohshme”, tha ai.
Ndërsa ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për ndarjen e 100 eurove për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik dhe privat.
Ai tha se kjo ndihmë nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve dhe se nuk i përfshinë mijëra të papunë dhe qytetarët që merren me bujqësi.
“Vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve. Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi”, ka shkruar Hoti.
Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se duhet zbatuar “masat afatgjate”, të cilat i kanë propozuar ata kur filloi të shfaqet kriza.
“Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë; Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike; Duhet të rriten subvencionet në bujqësi; Duhet të rritet paga minimale; Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale”.
Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka reaguar pasi kryeministri, Albin Kurti, tha sot se do të ndajnë nga 100 euro për pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat.
Në reagimin e BSPK-së thuhet se e mirëpresin këtë zotim të kryeministrit Kurti, teksa shtuan se shpresojnë që ky zotim të mos mbes vetëm deklaratë.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, mirëpret dialogun edhe kur ai vjen në formë të deklaratës nga i pari i Qeverisë, po pret që kjo të mos mbetet vetëm deklaratë që thuhet po të realizohet dhe të rrisë sado kudo mirëqenien ekonomike dhe sociale të punësuarve dhe të qytetarëve që e ndërtojnë dhe e duan këtë vend”, thuhet në reagim.
Kush do të përfitoj i pari 100 eurot e Qeverisë, ministri Murati jep detaje
Ministri i Financave, Hekuran Murati, u ka bërë thirrje punëdhënësve të sektorit privat që t’i rrisin pagat për punëtorët e tyre.
“Bëj thirrje për të gjithë punëdhënësit në sektorin privat që të shikojnë mundësinë e rritjes së pagave për punëtorët e tyre”, ka thënë Murati.
Sipas tij, për mbështetjen që Qeveria ka paralajmëruar e që përfshinë pensionistët, punëtorët e sektorit publik e privat dhe studentët, duhet të bëhen edhe disa ndryshime ligjore.
“Për t’u përmbushur e tërë pakoja e mbështetjes, na duhet që t’i kemi edhe disa ndryshime ligjore, është marrëveshja me Bankën Botërore për zgjerimin e skemës sociale, është Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e Buxhetit që na mundëson që t’i kemi këto mjete shtesë, për këtë mbështetje shtesë. Ligji për pagën minimale, përveç që rrit pagën, ofron edhe rritje të pagës neto për të gjithë punonjësit”, ka thënë Murati.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se për pensionistët dhe punëtorët e sektorit publik shtesa prej 100 euro për muajin prill mund të ekzekutohet menjëherë, ndërkaq për punëtorët e sektorit privat dhe studentët nevojitet që të hapet procesi i aplikimit.
“Në radhë të parë do të jenë pensionistët që do ta marrin këtë mbështetje shtesë, pastaj do të jenë ata të sektorit publik, kurse për punëtorët e sektorit privat dhe studentët gjatë ditëve në vijim do të hapim procesin e aplikimit, pasi nuk i kemi të dhënat e llogarive bankare”, është shprehur Murati. /Gazeta Enigma/