Batatina premton spektakël ndaj Prishtinës në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales në Kupën e Kosovës

Batatina premton spektakël ndaj Prishtinës në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales në Kupën e Kosovës

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se ndeshja kthyese gjysmëfinale e Kupës së Kosovës ndaj Prishtinës është jetike për ekipin e tij. Ai beson se Llapi ka forcë për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë dhe të arrijë në finale të Kupës për herën e tretë në pesë vjetët e fundit.

Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri” me rezultatin 2:1, ndërsa të mërkurën nga ora 14:00 në “Zahir Pajaziti” në Podujevë luhet ndeshja e kthimit. Si Llapit ashtu edhe Prishtinës i ka mbetur e hapur vetëm gara për Kupën e Kosovës.

Për titull të kampionit kanë mbetur prapa me pikë.

“Nuk është ndeshje e lehtë, pasi na duhet ta përmbysim rezultatin. Ne do ta bëjmë maksimumin për t’ia dalë, pasi është ndeshje jetike dhe vendimtare për të arritur objektin për të kaluar në finale të Kupës. Prishtina është në formë optimale dhe ka fituar vetëbesimin në ndeshjet e fundit, por te Llapi është gjithçka në rregull. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi loja duhet llogaritur që mund të mos mbyllet gjatë 90 minutave. Pra, mund të ketë edhe vazhdime, por edhe penallti”, ka thënë Batatina të martën për KOHËN.

Llapi humbi nga Prishtina 2:1 edhe në kuadër të xhiros së 27-të në Superligë, ndeshje që u zhvillua në fillim të këtij muaji. Por në kampionat është prapa ekipit të Llapit në tabelë. Ka gjashtë pikë më pak se Llapi, që zë vendin e katërt me 44 pikë. Llapi e Prishtina edhe në edicionin e kaluar ishin përballur në këtë fazë të Kupës. Por Llapi pati eliminuar Prishtinën, ndërsa në finale mposhti edhe Dukagjinin. Ishte hera e parë që Llapi fitoi një trofe, që synon ta fitojë sërish.

“Qëllimi ynë është të arrijmë në finale dhe ta ruajmë vendin e katërt. Pra, në të dyja garat ta kemi një vend që siguron daljen në Evropë. Është një ndeshje vendimtare për ne, nuk është e pakalueshme Prishtina, por nuk do ta kemi aspak të lehtë. Kemi bërë punën tonë, kemi analizuar pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit dhe do të jetë një ndeshje besoj e përgatitur mirë. Po ashtu, do të jetë spektakël pasi për herë të parë do të jetë një stadium i mbushur me shikues, pasi, siç dihet, pandemia na ka dëmtuar rëndë si nga ana psikike ashtu edhe financiare. Unë besoj se në fushë do të jetë një ndeshje e bukur për shikues”, është shprehur Batatina.

Related Articles