Natën mes 8 dhe 9 prillit, avionët transportues të forcave ajrore kineze fluturuan mbi Serbi.
Ata ishin të ngarkuar me armë të sofistikuara kundërajrore tokë – ajër të tipit HQ-22.
Beogradi nuk ka bërë njoftim zyrtar deri tani, por publiku mori vesh përmes mediave ndërkombëtare dhe Pekinit zyrtar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha në një konferencë për media se Kina “ka dërguar së voni furnizime të rregullta ushtarake” në Serbi.
Ai tha se dërgesa ka qëllim “zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kinës dhe Serbisë”.
Lijian nuk dha shumë detaje, por theksoi se projekti nuk synon asnjë palë të tretë.
“Është një projekt në kuadër të planit tonë vjetor të bashkëpunimit. Shpresojmë që mediat përkatëse të mos e interpretojnë shumë. Ky projekt nuk synon asnjë palë të tretë dhe nuk ka lidhje me situatën aktuale”, tha ai.
Përveç kësaj, Serbia ka paralajmëruar blerje të dronve nga Turqia dhe aeorplanë luftarak nga Franca.
Ish-ministri i FSK-së, Agim Çeku në një bisedë për Gazetën Enigma, ka thënë se këtë veprim të Serbisë e sheh si përpjekje për ta rritë rëndësinë e vet në rajon.
“Unë këto e shohë si një përpjekje të Serbisë për ta rritë rëndësinë e vet në rajon, sepse armatimi që është ardhë nuk është armatim i sofistikuar është armatim kundër ajror është armatim i gjeneratës së vjetër S-300 dhe nuk paraqet ndonjë kërcënim të drejtpërdrejt”, tregon Çeku.
Çeku këtë veprim të Vuqiçit e quan si përpjekje të dështuar për t’i frikësuar kundërshtarët e vet.
“Mendoj që është një përpjekje e Aleksander Vuqiçit të mashtrojë opinionin e vet edhe sadopak t’i frikësoj kundërshtarët e vet, por është një përpjekje e dështuar, sepse kësaj vetëm munden me ia pa sherrin me i rrëzu aeroplanët e vet. Kështu që për mua nuk paraqet kurrfarë shqetësimi”, vlerëson ish-kryeministri i Kosovës.
Kosova nuk duhet me i frikësu këtij veprimi thotë Ish-komandanti i shtabit të UÇK-së, Agim Çeku.
“Kosova duhet me reagu, por nuk ka pse me i frikësu kësaj absolutisht, na Serbinë e kem mposht edhe do ta mposhtim çdo herë. Unë besoj që NATO nuk e kish leju me fluturu mbi territorin e tyre asnjëherë nëse është një armatim që mund të paraqet ndonjë rrezik. Po e japi një shembull, Shqipëria ende ka aeroplane të vjetër që janë jashtë përdorimit, sikurse ne me i ble nja 20 aeroplanë me na dhanë nja 20 aeroplanë, unë kështu e shohë”, ka thënë Çeku.
Edhe analisti politik, Gazmir Raci thotë se Kosova nuk duhet t’i frikësohet këtij veprimi nga Serbia.
Raci thotë se Kosova duhet me u furnizu me armatime moderne dhe me i përmbush kapacitetet e saja ushtarake.
“Kosova nuk ka nevojë me u frikësu, duhet që sa më shpejtë me i përmbush kapacitetet e saja ushtarake dhe FSK-ja në mënyrë urgjente me u fuqizu si ushtri edhe me fillu me u furinizu me armatime moderne siç janë dronët, se lufta e fundit ka e ka bërë me dije që pa marrë parasysh çfarë shteti je me rëndësi është se çfarë ushtrie ke”, thotë Gazmir Raci për Gazetën Enigma.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se Serbia ka nisë të investojë në sistemin mbrojtës që nga viti 2018-të. Ai thotë se ky veprim i sigurisë jep sinjale se pasiguria mund të rritet në rajon pas këtij veprimi nga Serbia.
“Serbia që nga vitit 2018 ka filluar që të pjesa e mbrojtjes të investojë duke ndërruar konceptin deri atëherë që ka pasur ushtria e saj. Pra një investim mbi 2% GDP në vite kjo lene për të nënkuptuar që në aspektin strategjik Serbia është duke u përgatitur për veprime të cilat për pos që japin inputin që pasiguria për rajonin mund të rritet sepse historikisht Serbia ka model për rritje të tensioneve dhe apetiteve të botes serbe në Ballkanin perëndimor”, thotë Drizan Shala për Gazetën Enigma.
Shala thotë se Serbia ka nisur bashkëpunimin me Kinën për t’u furnizuar me armatim për shkak të pamundësive për ta bërë një gjë të tillë me Rusinë që është në luftëm e Ukrainën.
“Në periudha të caktuara Serbia partner kryesor në modernizim të ushtrisë ka pasur Rusinë por me që kjo në këto momente ka sanksione nga pjesa me e madhe botes , Serbia ka zgjedhur që në planin e saj për ushtri të vazhdojë me Kinën më theks të veçantë ne pjese e Dronëvve si dhe sistemin e ri tokë-air modelit FK-3/KS-1C gjeneratës se fundit”, thotë Shala.
Eksperti i sigurisë thotë se Kosova duhet të jetë syhapur dhe duhet të ketë koordinim me partnerët e saj.
“Ne duhet të jemi sy hapur koordinim dhe subkordinim me partnerin tone SHBA në nivel strategjik ndërsa në nivel operacional Kroaci, Turki dhe në nivel taktik Shqipëri për të përballur çfarë do aktiviteti të mundshëm nga Serbia drejtë distabilizimit të sigurisë në Kosove e me gjere në rajonin e Ballkanit dhe mund të afektoje Kosovën”, thotë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të martën se armatosja e vazhdueshme e Serbisë është shprehje e frikës së saj se do të mbetet e vetmuar.
“Armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk është e parrezikshme për rajonin dhe Kosovën, por është shprehje e frikës së saj se mund të ngelet e vetmuar atëherë kur nuk do të mund të qëndrojë në disa karrige siç është mësuar”, tha Kurti.
Sipas tij, Kosova është e brengosur dhe e vëmendshme për armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, por nuk ka frikë.
“Jemi të brengosur dhe të vëmendshëm por nuk frikësohemi. Ata kanë 42 baza ushtarake ofensive, por ndonëse ne nuk jemi në NATO, NATO-ja është te ne”, u shpreh Kurti.
/GAZETA ENIGMA/