Deputetët dolën nga seanca, zëdhënësi i Qeverisë: Nuk deshën ta vazhdojnë debatin që kishin filluar ta humbnin

Deputetët dolën nga seanca, zëdhënësi i Qeverisë: Nuk deshën ta vazhdojnë debatin që kishin filluar ta humbnin

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke arsyetuar kryeministrin Kurti dhe ministren Gërvalla, që lëshuan seancën e Kuvendit derisa po debatohej për politikën e jashtme, ka thënë se shtyrja e seancës për shkak të mosprezencës së tyre më shumë duket të jetë pretekst se sa arsye.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njoftoi për largimin e kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla nga seanca, për një takim që ajo e kishte në agjendë.

Konjufca, tha se “më nuk ka kuorum për ta vazhduar seancën”, dhe kësisoj përfundoi për ditën e sotme.

Pas ndërprerjes së seancës, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar zëdhënësi I Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Zëvendëskryeministrja Gërvalla pati takim me ministrin e qeverisë së Izraelit, Esaëi Frej i cili është në vizitë zyrtare në Kosovë. Kryeministri Kurti sapo përfundoi takimin me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, e cila po ashtu është në vizitë zyrtare në Kosovë. Menjëherë pas takimit, deri sa ishte rrugës për në Kuvend, kryeministri Kurti u njoftua se seanca është shtyer”, ka shkruar Kryeziu.

“Besoj që të gjithë deputetët, e ndoshta më së miri ata që në kaluarën kanë qenë pjesë e ekzekutivit, e mirëkuptojnë se takimet e nivelit të tillë konfirmohen paraprakisht dhe nuk mund të shtyhen”.

“Meqë kryeministri Kurti e zëvendëskryeministrja Gërvalla munguan vetëm një orë gjatë një debati parlamentar që di të bëhet gjithëditor, shtyerja e seancës për shkak të mosprezencës së tyre më shumë duket të jetë pretekst se sa arsye. Me gjasë nuk deshtën të vazhdojnë një debat që veçse kishin filluar ta humbnin”, ka shkruar Kryeziu.

Kuvendi i Kosovës, të martën, ka mbajtur një seancë për politikën e jashtme të vendit. Debati parlamentar mbi këtë temë ishte propozuar nga deputeti i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Deputetët e partive opozitare kanë drejtuar një varg kritikash në adresë të Qeverisë së Kosovës, për, siç kanë thënë, politikë të jashtme të degraduar, ndërkaq që vetë kryeministri Albin Kurti është përgjigjur ndaj këtyre kritikave dhe ka dhënë sqarime në disa nga pyetjet, por edhe kritikat e deputetëve. 

Related Articles