Rezoluta për rritjen e çmimeve edhe në seancën e sotme parlamentare nuk ka marr “dritën e gjelbër” pasi 63 deputet abstenuan.
Në lidhje me këtë çështje ekonomisti, Musa Limani, në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë se mos aprovimi i këtij ligji është pa përgjegjësi e secilit deputet.
“Normalisht që është një pa përgjegjësi e deputetit që mos ta aprovoj ndonjë ligj i cili do të jetë në interesin e popullit”, ka deklaruar ai.
Tutje Limani për Enigmën ka theksuar se e gjithë “kjo do e zhgënjej votuesin”.
Vazhdon rritja e çmimeve në Kosovë, qytetarët mezi po i përballojnë çmimet me pagat aktuale
Ali Sadiku qytetar nga Gjilani në një përgjigje për Gazetën Enigma ka deklaruar se gjendja aktuale në vend është e pa përballueshme.
“Duke pasur parasysh rritjen e çmimeve dhe pagat aktuale sa janë e gjithë kjo po e qon popullin në humnerë, pasi që rritja e çmimeve është duke vazhduar nga dita në ditë”, ka thënë Sadiku për Enigmën.
Ndërsa ekonomistja, Yllnore Bytyqi – Shala, në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë se sipas gjykimit të tyre rritja e çmimeve do të jetë e përkohshme.
“Në gjykimin tonë, faktorët që kanë ndikuar në rritjen e shpejtë të çmimeve në mjedisin e huaj do të jenë të përkohshëm. Në pjesën dërrmuese, ata lidhen me zhbalancime në raportin kërkesë-ofertë, me rritjen e çmimeve të lëndëve energjetike, si dhe me bazën e ulët krahasuese të një viti më parë. Ky është rasti në Eurozonë, ku rritja e inflacionit, në pjesën më të madhe, është shkaktuar nga çmimet e lëndëve energjetike”, ka deklaruar Bytyqi – Shala.
Tutje ajo ka shtuar se inflacioni në Evropë parashikohet të ulet në gjysmën e dytë të vitit 2022.
“Monitorimi i tregjeve ndërkombëtare sugjeron se në harkun kohor të vitit 2022, çmimet e lëndëve energjetike do të stabilizohen me rritjen e ofertës, modelet e konsumit do të normalizohen dhe presionet nga problemet me furnizimin do të reduktohen me normalizimin e plotë të situatës. Rrjedhimisht, inflacioni në Evropë parashikohet të ulet në gjysmën e dytë të vitit 2022, nga nivelet e larta në të cilat ndodhet aktualisht”, ka theksuar ajo.
Sipas ekonomistes Shala – Bytyqi këto çmime do të jenë edhe në dy, tre muajt në vazhdim.
‘Presionet inflacioniste nga mjedisi i jashtëm do të vijojnë të jenë të larta në afatin e shkurtër të dy–tre tremujorëve në vijim. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore ka sjellë rritjen relativisht të shpejtë të inflacionit në vend gjatë muajve të fundit”, ka thënë Shala-Bytyqi për Enigmën.
Parashikimet e saj për këtë çështje tregojnë për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.
“Vlerësimet tona sugjerojnë se ndikimi i tyre do të mbetet i lartë edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2022. Nga ana tjetër, me stabilizimin e tyre në tregun botëror, efekti i tyre rritës në inflacion do të reduktohet. Parashikimet e mia tregojnë për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv brenda vitit 2022, e më tej”, ka deklaruar ajo.
“Parashikimi mbështetet në përmirësimin e vazhduar të faktorëve të brendshëm shtytës të inflacionit, ecurinë e punësimit, pagave dhe të kostove të prodhimit”, ka përfunduar ajo.
Kujtojmë se edhe në Kosovë si në shumë vende të tjera në botë, muajt e fundit ka pasur një rritje enorme të çmimeve në artikuj të ndryshëm./Gazeta Enigma/