Deputeti dhe kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë Bekë Berisha, ka reaguar lidhur me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, shkruan Gazeta Enigma.
Berisha thotë se këto sulme janë të planifikuar amë herët.
Ai thotë se institucionet e sigurisë duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës dhe sulmeve terroriste t’iu përgjigjen me vendosmëri.
“Invazioni rus në Ukrainë është plan i hershëm i përgatitur nga shërbimet e këtij shteti. Pasi që Rusia ka ngecur dhe është ndalur nga rezistenca e pashoq e Ukrainasve, synimet e saj janë destabilizimi i Ballkanit Perëndimor. Sulmet e tilla si këto ndaj policisë së Kosovës janë të planifikuara kohë më herët. Institucionet e sigurisë duhet të qëndrojnë vigjilente dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, sulmeve terroriste t’u përgjigjen me vendosmëri, me dyfishin e forcës.
“Kujtojmë se këto sulme vijnë pas furnizimit me armë ofanzive nga Kina nga shteti serb, duke realizuar pikë për pike planet e Putinit, si dhe pas deklaratave nxitëse të Vuçiqit”.
“Qytetarët e Kosovës nuk duhet të panikohen, por e kemi obligim që ta mbushim Fondin për Siguri. Përtej vendit tonë nuk kemi ku të shkojmë. Në këtë situatë jemi gjithë bashkë, gjithmonë të gatshëm në mbrojtje të Atdheut”, ka shkruar Berisha.