Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pavarësisht presioneve, Beogradi nuk do të rrezikojë interesat e saj kombëtare duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Në një intervistë për Financial Times më 21 prill, ai tha se Beogradi nuk “do të zgjedhë anë” pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian që Serbia, si shtet kandidat për anëtarësim në bllok, të harmonizojë politikat e saj të jashtme me të Brukselit, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ka bisedime për zgjedhje të anëve. Jo, ne e kemi anën tonë, interesat e Serbisë. Nëntëmbëdhjetë shtete të NATO-s na bombarduan ne [më 1999] dhe vendosën sanksione ndaj nesh”, tha Vuçiq.
Bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë nisën pas dështimit të negociatave për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë. Bisedimet u mbajtën në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe mars të vitit 1999.
Bombardimet nisën për të parandaluar eksodin e popullsisë shqiptare në Kosovë, të cilët u përballën me terrorin e ushtrisë dhe forcave policore serbe. Shumica e anëtarëve të policisë dhe ushtrisë, por edhe udhëheqja shtetërore, përfshirë Sllobodan Millosheviqin që ishte president, më vonë u gjykuan në Hagë.
Vuçiq tha për Financial Times se Serbia do të vendosë sanksione ndaj kujtdo sepse udhëheqja e shtetit nuk beson se sanksionet do të ndryshonin diçka.
“Ju mund t’i bëni presion dhe ta detyronin Serbinë, por ky është mendimi ynë”, tha ai.