Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që u përfol se është i përfshirë në një skandal financiar në Slloveni, ka mohuar akuzat përmes një postimi në Facebook.
“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit ne fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, shkruan Berishaj.
Ai nuk e ka bërë të qartë se përse është sulmuar ai si ambasador i Kosovës në këtë shkrim, edhe nëse ai ka të bëjë me fushatën elektorale në Slloveni, porse ka thënë se tashmë është vënë në mbrojtje të së vërtetës.
“Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurt në drejtësi dhe në të vërtetën. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”.
Për çfarë po akuzohet Berishaj?
Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku para të dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin tek një kompani tjetër malazeze, i dërgoheshin një politikani slloven dhe përfundonin në disa fonde italiane ku investitorët e kanë të mundur të mbesin anonimë.
Zbulimi i këtij skandali ka çuar në hetimin e politikanit slloven, kandidatit për kryeministër, Robert Golob, për shkak të dërgesave të parave nga dega e kompanisë energjetike serbe GEN-I, të cilat fillimisht shkonin në një kompani private të konsulencës, me alibinë se janë pagesa për këshillime.
Bëhet fjalë për kompaninë malaziase MB Consulting, pronar dhe punëtor i vetëm i së cilës është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Shuma e zbuluar është rreth 600 mijë euro pagesa që serbët ia bënin kompanisë së Berishajt.
Berishaj më pas i tërhiqte ato para nga xhirollogaria e kompanisë së tij fiktive dhe fizikisht ia dorëzonte politikanit slloven.
Më pas ai i investonte në disa fonde që thuhet se janë italiane dhe janë të qasshme nga përdorues anonimë.
Berishaj ishte pyetur nga organet e Malit të Zi, por ai e kishte arsyetuar shumën e parave në kontot e kompanisë me një kredi që thoshte ta ketë marrë.
Tërheqjen e parave Berishaj e kishte bërë nga dy xhirollogari, zbulojnë mediat sllovene.
“197 mijë euro i ka tërhequr nga llogaria personale, ndërsa pjesën tjetër, 320 mijë, i ka tërhequr nga një llogari tjetër”.
Akoma nuk dihet se cili ishte denstinacioni final i parave, por pritet të kuptohet më shumë në ditët në vijim.
Sipas raportit të parë, ende nuk është zbuluar gjithçka dhe ka akoma dokumente të tjera që do të shpalosën.