Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal për Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemajli ka thënë se ky kallëzim penal ka të bëjë me moszbatimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e vendimit të ZRRE për ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë.
“Sot ishim në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të deponuar një kallëzim penal kundër ZRRE-së dhe Bordit të saj. Për shkakun se nuk e ka zbatuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullimin e vendimit të saj për ngritjen e çmimit të energjisë në Kosovë”, tha ai.
Ai foli edhe për padinë që kanë ngritur ndaj ZRRE-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Dihet që në muajin shkurt, më 9 shkurt, ne kemi ngritur një padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër ZRRE-së për shkak se ka ngritur çmimet enorme deri në 109% në kohën e krizës, në kohë pandemie dhe në kohën e krizës energjetike. Në njërën anë ka dhënë 100 milionë për energji elektrike, kurse në anën tjetër ua merr një pjesë qytetarëve”, tha më tutje Xhemajli.
E këtë kallëzim penal, Xhemajli tha se e kanë bërë me qëllim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve.
“Ne kemi dalë në mbrojtje të interesit qytetarë për shkak se duhet mbrojtur në këto rrethana. Kemi ngritur padi, por krahas padisë kemi bërë edhe kërkesën për pezullimin e zbatimit të rritjes së çmimeve të vendimit të ZRRE-së. Meqë nuk është zbatuar ky aktvendim ne kemi bërë kallëzim penal. Përkundër që PDK ka bërë thirrje publike për zbatimin e këtij vendimi të gjykatës, ZRRE ka vazhduar të faturojë energjinë me tarifa të shtrenjta deri në 109%, duke u shkaktuar dëme financiare 350 mijë familjeve të Republikës së Kosovës”, tha ai.