Zelensky: Pushtimi rus në Ukrainë, vetëm fillimi

Zelensky: Pushtimi rus në Ukrainë, vetëm fillimi

Forcat ruse është thënë të jenë penguar gjatë natës, teksa kundërsulmet ukrainase kanë vazhduar në pushtimin që ka mbushur tetë javë.

Ndërkohë Kievi ka shtuar thirrjet për ndihmë të huaj, pas sugjerimeve se Moska ka zgjeruar qëllimet e luftës.

Inteligjenca ushtarake e Britanisë së Madhe ka thënë më 23 prill se forcat ruse duket se nuk kanë bërë përparim të madh në 24 orët e fundit.

Sipas saj, forcat ajrore dhe ato detare të Rusisë nuk kanë arritur të kenë kontroll në qiejt dhe detet e Ukrainës, meqë janë përballur me rezistencë të ashpër ukrainase.

Në një video-adresim më 22 prill, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar shtetet që kanë dërguar armë për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës dhe ka thënë se forcat e armatosura vazhdojnë të ndalin sulmet në lindje dhe jug të shtetit.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se forcat ruse kanë shtuar sulmet në gjithë pjesën lindore.

“Në rajonin e Donbasit, Azovit, Mariupolit dhe Hersonit është duke u vendosur fati i kësaj lufte dhe e ardhmja e shtetit tonë”, ka thënë Zelensky.

Ai po ashtu ka shtuar paralajmërimet se presidenti rus, Vladimir Putin ka synime tjera territoriale në rajon, përveç synimeve për të pushtuar lindjen dhe jugun e Ukrainës.

Komandanti në detyrë i Qarkut Qendror ushtarak të Rusisë, Rustam Minnekayev, është cituar të ketë thënë sipas mediave shtetërore më 22 prill, se kontrolli i plotë i jugut të Ukrainës është qëllim strategjik për të mundësuar qasjen në rajonin pro-rus të Moldavisë, Transdniestër.

Komentet e tij përbëjnë përshkrimin më të detajuar të qëllimeve të Rusisë në fazën e dytë të pushtimit të Ukrainës dhe janë përmendur nga Kievi si shenjë se Kremlini ka gënjyer në deklaratat fillestare kur ka thënë se Moska nuk ka ambicie territoriale.

Kievi ka përmendur po ashtu se rajoni Transdniestër mund të përdoret për të organizuar operacionet ruse kundër Ukrainës dhe Moldavisë, e cila ndan kufirin me shtetin anëtar të NATO-s, Rumaninë.

Në këtë rajon gjenden trupa ruse, pavarësisht kundërshtimeve të Kishinjevit.

Minnekayev ka thënë se rusishtfolësit janë të shtypur në Transdniestër.

Moldavia dhe liderët e Perëndimit deklarojnë vazhdimisht se kjo gjë nuk është e vërtetë.

Ministria e Jashtme moldave ka hedhur poshtë deklaratat ruse dhe ka ftuar për bisedë ambasadorin rus për të shprehur “shqetësimin e thellë” të Kishinjevit.

“Moldavia është shtet neutral dhe ky parim duhet të respektohet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, duke përfshirë Federatën ruse”, është thënë në deklaratë.

Ndërkohë, këshilltari i zyrës së Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, ka thënë se negociatat për garanci të mundshme të sigurisë për Ukrainën – nga partnerë të huaj – janë duke vazhduar se mund të përfundojnë brenda një jave.

Podolyak ka thënë se “do të ketë pako të ndryshme të garancive”, mirëpo “është e rëndësishme për ne të kemi armë, të mbyllim qiejt, të kemi konsultime ushtarake dhe para për të blerë armë shtesë”.

Këshilltarë të liderëve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Turqisë, Polonisë, Gjermanisë, Francës dhe Izraelit kanë shprehur gatishmëri për të diskutuar një listë për garanci të sigurisë për Ukrainën.

“Ne do të mbrojmë veten sa më gjatë që është e mundur, mirëpo të gjithë shtetet që sikurse ne besojnë në fitoren e jetës ndaj vdekjes, duhet të luftojnë me ne”, ka thënë Zelensky më 22 prill.

Mariupoli: Si u shndërrua në varrezë një qytet i begatshëm

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk ka thënë se “ekzistojnë mundësi” për hapje të korridoreve humanitare më 23 prill, në qytetin e Mariupolit.

Vlerësohet se 2,000 mbrojtës ukrainas janë të fshehur në këtë qytet, me qëllim të mbrojtjes së qytetit nga rënia në duart e rusëve.

Një këshilltar i kryetarit të Mariupolit ka thënë se bombat janë duke rënë vazhdimisht në fabrikën Azovstal ku gjenden mbrojtësit ukrainas.

Më 22 prill, pamjet e reja satelitore kanë shfaqur atë që mund të jetë varrezë e dytë masive në një qytezë në afërsi, duke rritur shqetësimet për katastrofë humanitare prej kur Putin ka nisur ofensivën më 24 shkurt.

Putin ka urdhëruar këtë javë që forcat ruse të mbyllin Mariupolin ashtu që “as edhe një mizë” të mos mund të kalojë në qytetin e shkatërruar, i cili ka pasur rreth 500,000 banorë para se të niste lufta.

Related Articles