Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar sërish për refuzimin e krijimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për Energji nga ana e VV-së.
Sipas LDK-së kjo nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, përveç fshehjes së të vërtetes. Përmes një komunikate për media, LDK-ja bëri të ditur se janë zotuar që do t’i shfrytëzojnë të gjitha rrugët juridike e politike për zbardhjen e kësaj të vërtete.
“Dhënia e 120 milion eurove në energjetikë nga buxheti i shtetit dhe prapë shtrenjtimi i faturave të energjisë prej 100% për qytetarët si dhe skandalet e fundit, shtrojnë nevojën emergjente për transparencë”, thuhet në njoftimin për media.
Ndryshe, nga tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvendin e Kosovës deri në formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.
Komisioni hetimor po kërkohet të formohet për çështjet energjetike, saktësisht për krizën energjetike, çështjet e tarifës dhe punësimet në KEK.