Stadiumi (jo)funksional!

Stadiumi (jo)funksional!

Stadiumi i qytetit në Gjilan është shndërruar në kantier ndërtimi, me shufra hekuri, beton dhe shumë gurë përreth tij. Megjithatë, ka javë që punëtorët që po punonin në këtë stadium nuk janë parë, derisa punimet janë ndaluar tërësisht, shkruan Gazeta Enigma.

Si për ironi të fatit rifillimin e tyre nuk e di ende askush dhe fundi vazhdon të mbetet mister i madh i kohës. Situata aktuale nuk do shumë koment, sidomos pas ngjarjeve të fundit të ‘prodhura’ në kampionatin elitar të futbollit kosovar, me ç’rast ishte sulmuar futbollisti Stivi Frashëri, i cili po mbronte portën e Ballkanit në ndeshjen ndaj Gjilanit. Sulmi kishte ardhur nga disa tifoz vendas, pikërisht për shkak të infrastrukturës katastrofale, e cila është aktualisht në këtë stadium.

Megjithatë, nuk kanë mjaftuar këto skena që tronditën gjithandej vendin dhe jo vetëm për të intervenuar. Nga Komuna e Gjilanit drejtojnë ‘gishtin’ në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa këta të fundit u’a lënë fajin procedurave byroktratike.

Gazeta “Enigma” ka kontaktuar gjithë protagonistët e kësaj ‘fabule’ e cila assesi të gjej fundin, që nga shtatori i vitit 2017 edhe kur nisi rindërtimi i saj.

Qemajl Latifi, drejtor i stadiumit të qytetit, thotë se përveç kryetarit të komunës Alban Hyseni, askush tjetër nuk është në rrjedha për punimet e stadiumit.

“Për punime veç kryetari është në rrjedha, askush nuk mundet met dhanë asnjë përgjigje”, thotë Latifi në një përgjigje për Gazetën Enigma.

Latifi thotë se fusha është në gjendje të mirë pas investimeve vetanake të SC Gjilanit dhe CF Dritës. Mirëpo ai shton se gjendja e stadiumit është e njëjtë dhe se punimet janë ndërprerë e nuk janë duke vazhduar.

“E di që është duke u punu në projekt, domethanë nuk ka pasur një projekt përfundimtar është duke u punu met madhe në atë projekt, tjerat nuk di. Ky është investim edhe i Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Për momentin ne jemi duke e mirëmbajt fushën, është në gjendje të mirë kanë investu klubet në konzervim edhe është gjendje të mirë. Mirëpo punimet janë ndërpre, gjendja e stadiumit është qashtu qysh u kanë”, thotë ai për Enigmën.

“Ne nuk kemi informatë se kur ka me nis fillimi i punimeve, besoj që as kryetari Alban Hyseni nuk ka informacion, jemi në pritje”.

Aktualisht, stadiumin po e shfrytëzojnë për seanca stërvitore dy klubet e këtij qytetit, Drita dhe Gjilani për ndeshjet të cilat kanë për t’i zhvilluar në bari natyral.

Një gjë është e sigurt, sikurse Drita, po ashtu edhe Gjilani ndeshjet si vendas nuk do t’i zhvillojnë në këtë stadium, pikërisht për shkak të kushteve katastrofale për organizimin e ndeshjes, të cilat çuditërisht janë pranuar nga organet gjegjëse të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Gazeta Enigma ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Drejtorin e Sportit në Komunën e Gjilanit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles