Qeveria e Kosovës ka miratuar lehtësimin e masave kundër COVID-19 ku tash e tutje në hyrjet kufitare në Kosovë nuk do të kërkohet certifikata e vaksinimit.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Ministria e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë rekomanduar lehtësimin e masave ekzistuese pasi kanë vlerësuar se situata epidemiologjike në vend është stabile.
“Sipas raportit të fundit të IKSHPK-së situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë është stabile me ç’rast rekomandojnë lehtësimin e masave ekzistuese. Ministria e Shëndetësisë ka bashkërenduar vendimmarrjen me palët e interesit të cilat kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga pandemia. Masat dhe afatet kohore të përcaktuara në këtë propozim-vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll, edhe përkundër të dhënave optimiste epidemiologjike”, tha ai në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, konfirmoi se situata epidemiologjike në vend është e tillë që të kërkohen masa lehtësuese.
Kjo masë mbetet në fuqi brenda Kosovës, pra certifikata e vaksinimit do të kërkohet në hyrjet e qendrave tregtare dhe veprimtarive të gastronomisë.