Dukagjini ka realizuar edhe fitoren e tretë radhazi në Superligën e Kosovës dhe kësisoj ka bërë një hap të madh në luftën për ikje nga zona e barazhit. Klinasit triumfuan në kryeqytet ndaj Prishtinës.
Takimi i javës së 32-të në elitën e futbollit kosovar i zhvilluar në “Fadil Vokrri” i takoi “Hithave” që fituan 0:1.
Ergyn Ahmeti ishte heroi i skuadrës nga Klina, pasi realizoi golin e vetëm të takimit.
Mesfushori Ahmeti u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 72-të të takimit.
Prishtina në minutat në vazhdim nuk arriti që të pakten ta shmangte humbjen dhe kësisoj tri pikët i mori skuadra mysafire.
Dukagjini është ngritur në kuotën e 42 pikëve në vendin e 6-të aq sa ka edhe Prishtina një pozitë më lart.
Fitore ka marrë edhe Gjilani, veçse shumë më të lehtë në udhëtim te Ulpiana.
“Kuqebardhët” festuan fitoren 0:4, në një ndeshje ku shkëlqeu ylli i kësaj skuadre, Gerhard Progni që kompletoi “het-trikun”.
Progni realizoi në minutat 35, 44 dhe 72, ndërsa me një gol tjetër kontribuoi Blerim Krasniqi.
Gjilani ngritet në pozitën e dytë me 58 pikë, ndërsa Ulpiana me këtë humbje është e parafundit dhe me një “këmbë në Ligën e Parë.