Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku është ndarë i kënaqur me fitoren që e arriti ekipi i tij ndaj skuadrës së Llapit.
Në duelin e luajtur në Skenderaj, Drenica triumfoi me rezultatin 1:0, falë golit të shënuar Besfort Dervishaj në fund të ndeshjes. Lushtaku ka thënë se synimi i Drenicës në këtë përballje ishin tre pikët, që sipas tij janë tejet në rëndësishme në luftën për t’i ikur zonës së barazhit.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë duke pasur parasysh se kishim përballë një kundërshtar të fortë me lojtarë cilësor në çdo aspekt. Ne ishim përgatitur të tregoheshim të kujdesshëm dhe kjo u vërejt në pjesën e parë ku gjatë tërë kohës ishim të tërhequr dhe prisnim një gabim të Llapit për ta dënuar. Në pjesën e dytë e kërkuam golin me çdo kusht dhe arritëm të shënojmë dhe të marrim tri pikë shumë të rëndësishme. Edhe pse me vështirësi ne e fituam ndeshjen pasi ky ishte edhe synimi ynë kryesor”, tha Lushtaku, i cili foli edhe për duelin kundër Malishevës që Drenica e luan në fundjavë.
“Do të mundohemi të punojmë dhe të përgatitemi mirë për ndeshjen me Malishevën që është shumë e rëndësishme si për ne ashtu edhe për ata. Po ashtu, kam besim të plotë në ekipin tim dhe do t’ia dalim të ikim nga zona e barazhit”.