Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, dje kishte darkuar në një tavolinë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës së tyre në Gjermani, raporton Gazeta Enigma.
Kujtojmë se në të kaluarën e tij si opozitar, Kurti ka qenë kundër takimeve të tilla.
Ndërsa ditën e sotme në Prishtinë, Kurti tha se s’kanë qenë kundër dialogut as në të kaluarën.
“E kemi theksuar tash e shumë vite që ne nuk jemi në parim, kundër dialogut por ne nuk duam dialog pa parime”, tha Kurti.
Tutje ai ka shtuar se ka mbrojtur interesat e shtetit.
“Unë edhe mbrëmë si kryeministër i Republikës së Kosovës kam përfaqësuar vullnetin e popullit, kam mbrojtur interesat e shtetit dhe gjithnjë duke e pasur për dysheme dhe tavan kushtetueshmërinë dhe ligjin e Kosovës”, shtoi ai.
“Pra, pavarësisht se a ka darkë apo jo dhe pavarësisht se çfarë darke është unë i këtillë jam dhe njësoj ndjehem. Me shumë përgjegjësi për detyrën që mbaj por në të njëjtën kohë edhe me krenari për këtë përgjegjësi që më është besuar”, tha i pari i qeverisë ./Gazeta Enigma/