Zëvendëskryeminitri i parë i Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, së fundmi ka zhvilluar një takim me shefen e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali, shkruan Gazeta Enigma.
Në bazë të njoftimit për media, Bislimi në këtë takim ka shfrytëzuar rastin të kërkojë njohjen e Republikës së Kosovës nga shteti grek.
Ndër të tjera Bislimi u shpreh se tani është koha që Geqia t’i bashkohet shumë vendeve të BE-së dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.
Komunikata e plotë:
“Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi i uroi mirëseardhjen znj.Vakali, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me zyrën greke dhe duke vënë në pah mundësitë për thellimin e këtij bashkëpunimi dhe marrëdhënieve mes dy vendeve.
Më tej, u cek angazhimi dhe progresi i Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe dinamikat përgjatë këtij viti, duke theksuar nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe objektivat për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Ambasadorja Vakali u shpreh se Greqia mban marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën dhe se ato janë zhvilluar në një nivel më të avancuar. Theksoi se ndjehet e impresionuar me potencialin e madh që ka Kosova dhe mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunim bilateral.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi znj Vakali për takimin. Njëkohësisht theksoi rolin e rëndësishëm, që Greqia ka në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe shprehu gatishmëri të plotë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Po ashtu, zëvendëskryeministri Bislimi potencoi se tani është momenti i duhur që Greqia t’iu bashkohet shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës“./ GazetaEnigma