Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka njoftuar se gjatë vizitës në Kosta Rika sot është takuar me presidentin e ri, Rodrigo Chaves, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Kisha nderin e veçantë që si përfaqësuesja e parë e popullit të Kosovës që viziton Kosta Rikën, të takoj Presidentin e ri të vendit, z.Rodrigo Chaves”, thuhet në njoftimin e saj.
Tutje Osmani ka njoftuar se me presidentin e ri të Kosta Rikës u pajtuan që ti vazhdojnë marrëdhëniet e tyre edhe më tutje dhe të thellojnë bashkëpunimin në politikat e jashtme.
“Me Presidentin Chaves u pajtuam që t’i çojmë marrëdhëniet tona të shkëlqyera bilaterale në lartësi të reja, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe rritjen e interaksionit ekonomik e tregtar”, ka shkruar Osmani.
Osmani gjatë këtij takimi ka theksuar se populli i Kosovës është gjithmonë falënderues ndaj Kosta Rikës, i cili qysh ditën e parë të pavarësisë na njohu si shtet
“Populli i Kosovës i është gjithmonë mirënjohës Kosta Rikës që njohën pavarësinë tonë qysh në ditën e parë të shpalljes, më 17 shkurt, pikërisht kur Republika e Kosovës filloi kapitullin e saj të ri si një shtet i pavarur e sovran”, ka thënë Osmani.
“Presidentit Chaves i përcolla urimet më të mira në marrjen e përgjegjësive së detyrës së tij të re, udhëheqjes së popullit të Kosta Rikës drejt një të ardhmeje të begatë e të sigurt”, ka përfunduar ajo.
Kujtojmë se sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Kosta Rika është shteti i parë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008./Gazeta Enigma/