Ish-kreu i Komisionit për Demarkacion, Shpejtim Bulliqi i ka komentuar deklaratat e Kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili kishte thënë se nuk do ta ridiskutojnë temën e demarkacionit me Kosovën.
Bulliqi thotë se nuk janë të befasuar nga qëndrimi i Abazoviqit për Demarkacionin.
“Deklarata e Abazoviqit nuk është se nuk është pritur. Është e kuptueshme se nga pozicioni në të cilin ndodhet Abazoviqi nuk do të ketë të lehtë ta hap këtë temë”, tha ai.
Ai thotë se Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj kishte formuar një komision hetimor për të evidentuar lëshimi nga komisioni paraprak.
“Ne kemi bërë një raport, ku kemi konstatuar se linja kufitare nuk ishte përcaktuar mirë”.
Bulliqi thotë se megjithatë tashmë janë tejkaluar të gjitha rregullat ndërkombëtare për shënimin e vijës kufitare.
“Dy shtetet brenda afatit prej dy vjetëve është dashur ta formojnë trupën e përbashkët për të bërë shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit, e një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.
Bulliqi thotë se komisioni nuk ka mundur të ndryshojë kufirin, por megjithatë sipas tij faktet e bollshme i janë dërguar Qeverisë së vendit.
Ai thotë se çështje e kufirit mbetet e hapur derisa ende nuk janë përcaktuar disa hapa tjerë.
“Procesi i demarkimit të kufirit është bërë, por jo edhe shënimi dhe mirëmbajtjes. Procesi i shënimit dhe mirëmbajtjes është dalja në terren dhe vendosja e gurëve apo piramidave”, deklaroi ndër të tjera Bulliqi.