Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku e ka komentuar aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Çitaku tha se Kosova tashmë i plotëson të gjitha kriteret.
Sipas saj, përjashtimi i Rusisë nga kjo organizatë ia ka hapur derën Kosovës për t’u anëtarësuar.
“Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Europës. Ne i plotësojmë të gjitha kriteret dhe tani, me Rusinë e përjashtuar nga organizata, rruga jonë duhet të jetë e qartë”, ka shkruar ajo në Twitter.
Kosova e ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e saj për anëtarësim në KE. Gërvalla se nga sot fillojnë procedurat për shqyrtim të kërkesës nga ana e Këshillit, derisa tha se është optimiste që Kosova do të jetë anëtare e kësaj organizate të të drejtave të njeriut.
“Dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Europës. Sot hapëm një kapitull të ri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instancat të ndryshme të Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror”.
“Kosova është vendi më demokratik në rajon, Kosova është vendi më proeuropian në rajon dhe është vendi më optimist në rajon. Prandaj, Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Europës një ditë e më parë. Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshill të Europës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje të tyre në instanca europiane”.
Dorëzimi i kërkesës nga Gërvalla erdhi pasi Qeveria e Kosovës miratoi sot në parim nismën për anëtarësimin e Kosovës në KE.