Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikanë ka thënë se Kosova dhe Serbia janë vende sovrane që kanë të drejtë të përcaktojnë priroritetet e tyre të politikës së jashtme.
Këtë komentim zëdhënësi i Departamentit të SHBA-së e bëri duke iu referuar deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit me rastin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Me marrëveshjen e nënshkruar në shtator të vitit 2020, Serbia dhe Kosova u angazhuan për bashkëpunim ekonomik, por edhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.
Pjesë e marrëveshjes ishte moratoriumi një vjeçar, ku Kosovës i kërkohej që të mos aplikonte për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe Serbisë që të përmbahej nga një fushatë diplomatike për të tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës. Moratoriumi skadoi më 4 shtator të vitit 2021.
“Moratoriumi ishte krijuar për të zgjeruar hapësirën për bisedime dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, që ne besojmë se është në interesin strategjik të të dyja vendeve”, njoftoi Departamenti i Shtetit.
“Ne vazhdojmë të besojmë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, është vendimtar për të dyja vendet që të zhbllokojnë të ardhmen e tyre evropiane. Ne u bëjmë thirrje atyre për pjesëmarrje urgjente, fleksibile dhe serioze në këtë proces”, thuhet më tutje.
Shtatorin e kaluar, në prag të përvjetorit të Marrëveshjes së Uashingtonit, Departamenti i Shtetit inkurajoi drejtpërdrejt Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë moratoriumin rreth çështjeve që mund ta ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.
Pasi Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla paraqiti kërkesën zyrtare për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Vuçiq u tha gazetarëve në Beograd të enjten se Prishtina kishte “shkelur brutalisht” marrëveshjen e Uashingtonit.
“Pas gati dhjetë vitesh të nëpërkëmbjes së marrëveshjes së Brukselit, tash e kanë shkelur marrëveshjen e Uashingtonit, ndërsa as ata dhe as mentorët e tyre nuk e kanë respektuar ndonjëherë Rezolutën 1244”, ka theksuar presidenti i Serbisë.
Kujtojmë se Marrëveshja e Uashingtonit është nënshkruar pas dy ditësh bisedime ndërmjet përfaqësuesve më të lartë të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kryeqytetin amerikan më 3 dhe 4 shtator të vitit 2020, gjatë administrimit të presidentit, Donald Trump.
Marrëveshja u ndërmjetësua nga i dërguari i Trumpit për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell, i cili u ndal në bashkëpunimin ekonomik mes dyja palëve, i bindur se përmirësimi i situatës ekonomike dhe standardit të jetesës do të lehtësojë zgjidhjet politike.
Administrata e Bidenit ka pranuar obligimet nga marrëveshja e Uashingtonit, të cilën e ka konfirmuar disa herë vitin e kaluar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Cosnet.
Gjatë vizitës së saj të fundit në rajon, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Karen Donfried, ka biseduar me presidentin Vuçiq, ndër të tjera, edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç u njoftua, ata ranë dakord që çështjet e hapura në dialog mund të zgjidhen nën patronazhin e BE-së për të arritur deri tek një zgjidhje.