Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka deklaruar se e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën.
Borell tutje ka theksuar se Komisioni Evropian ka paraqitur disa herë si çështje dhe ka bërë të ditur se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.
“Ne e mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë ai.
Borrell ka thënë se kanë folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke shtuar se duhet të respektohen të gjitha marrëveshjet paraprake.
Ai ka thënë se një takim tjetër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq mund të mbahet para fillimit të verës.
“Ne duhet të krijojmë besim mes palëve, duhet të sjellim atmosferë të mirë brenda takimeve. Ne shpresojmë që para verës ne do të jemi në gjendje të mbajmë një tjetër takim mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë”, ka thënë ai.
Sipas tij bashkë kanë biseduar edhe për pasojat që kanë dalë nga lufta që Rusia ka nisur në Ukrainë.
“Ne i kemi ftuar edhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor ku kemi diskutuar për të ardhmen dhe rrugën e tyre për në Bashkimin Evropian. Ne kemi mbështetur aleatët që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Serbia është një nga vendet që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe duhet që sa më parë ta bëjë këtë. Ne presim që kandidatët për anëtarësim në BE që t’i bashkohen politikës së jashtme të BE-së”, ka thënë ai.
Borrell ka thënë se të qenit neutral sot, është koncept fals.
Sipas tij, duke i vendosur edhe Rusinë edhe Ukrainën në të njëjtën pozitë, e zbeh diferencën mes sulmuesit dhe të sulmuarit.
Ai ka thënë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, janë bashkuar në politikat e BE-së, dhe për shkak të kësaj mund të jenë më të kërcënuara nga Rusia.
“Edhe Bosnja Hercegovina dhe Kosova i janë bashkuar kësaj nisme. Madje Kosova nuk ka pasur pse të bëjë sepse nuk është njohur nga shumë vende Evropiane. Ne kemi çuar mesazh te partnerët strategjik të Ballkanit Perëndimor që të jenë më shumë strategjik. Dua ta bëjë të qartë se duhet të nisim negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Unë shpresoj që kjo do të ndodhë shumë shpejt. Këto dy vende i kanë përmbushur të gjitha kriteret, dhe kjo vonesë po na dëmton të gjithëve”, ka thënë ai.