Begolli flet për barazhin: Gjasat janë të barabarta, tifozët do t’i bëjmë krenarë

Begolli flet për barazhin: Gjasat janë të barabarta, tifozët do t’i bëjmë krenarë

Skuadra me nam të madh në futbollin kosovar, Liria e Prizrenit, këtë sezon ka siguruar një pozitë e cila para vetes do t’i ketë dy ‘pengesa’.

Skuadra nga Prizreni këtë edicion e ka mbyllur në vendin e dytë në kuadër të Ligës së Parë në Grupin B, shkruan Gazeta Enigma.

“Bardhezinjtë” do të ballafaqohen me Vushtrrinë e cila u rendit e dyta në Grupin A. Në rast të triumfit, atëherë do luhet edhe barazhi i dytë me ekipin që zë vendin e 8-të në Superligë.

Ballafaqimi i parë i zjarrtë pritet të luhet në stadiumin “18 Qershori” të Klinës, të shtunën me 21 maj.

Redaksia e Gazetës Enigma e ka kontaktuar trajnerin e Lirisë, Granit Begolli, i cili ka folur për ndeshjen e së shtunës, duke thënë se atmosfera në ekip është fantastike.

“Atmosfera është fantastike dhe djemtë janë jashtëzakonisht të motivuar për me arrit diçka të madhe këtë sezon. Nga janari kur kemi filluar përgatitjet, ekipi ka pasur veç një qëllim për me arrit objektivin vendin e dytë, tashmë sigurisht që do të tentojmë gjithçka për me arrit me e kthy Lirinë në Superligë”, tha Begolli.

Dy ekipet këtë sezon kanë treguar futboll mjaftë cilësor, ndërsa kryetrajneri i Lirisë thotë se gjasat janë të barabarta.

“Besoj që gjasat i kem 50 me 50, të dy skuadrat kanë zhvilluar një sezon fantastik, unë mendoj që kemi përballë një kundërshtar mjaftë të fortë ku shumica e futbollistëve janë po ata të cilët kanë fituar titullin kampion me Vushtrrinë”, shtoi më tutje Begolli.

Ish-futbollisti thotë se në këtë ndeshje nuk shohin përparësi ndaj kundërshtarit, por se vetë ndeshja e barazhit i motivon ata.

“Besoj që kemi një grup të motivuar për me arrit diçka të madhe këtë sezon, nuk shoh përparësi, në ndeshje barazhi motivi nuk mungon, qëllimi është të kalojmë tutje të luajmë në barazhin e dytë”, potencoi Begolli.

Qyteti i madh i Prizrenit veçse ka filluar mobilizimin e madh për këtë ballafaqim, kurse edhe “Arpagjik’t” do udhëtojnë në numër shumë të madh drejtë Klinës.

Trajneri i prizrenasve për fund ka premtuar tifozëve që do e japin maksimumin për t’u rikthyer aty ku e ka vendin.

“Ju premtoj që ekipi jonë do të jep 100% për ta kthyer Lirinë aty ku e ka vendin. Futbollistët kanë treguar një karakter të fortë këtë sezon dhe janë të motivuar që ta përmbyllin me sukses këtë vit. Për ne kanë shumë rëndësi tifozët ku kemi pasur një përkrahje gjatë gjithë kampionatit besoj që edhe këtë ndeshje do t’i bëjmë krenarë”, përfundoi Granit Begolli.

Granit Begolli iu bashkua klubit të Lirisë më 8 dhjetor të vitit 2021 dhe që nga ajo kohë skuadra prizrenase me paraqitje të mira dhe me rezultate pozitive arriti të bëjë përvete edhe shumë futbolldashës.

/Gazeta Enigma/

Related Articles